Aksidentet nuk ndalen, plagoset turisti boshnjak në Lezhë, kaos e trafik në rrugët e vendit

Një turist boshnjak mbeti i plagosur pasi motori me të cilin udhëtonte u përplas nga një makinë në aksin Lezhë-Shkodër. Në të njëjtën rrugë u përplasën edhe dy mjete, çka shkaktoi trafik të rënduar. Aksident i trefishtë ndërkohë në Fier-Patos, fatmirësisht pa të lënduar.

Një turist boshnjak mbeti i plagosur në një aksident automobilistik ndërsa po vizitonte Shqipërinë.

Ai po udhëtonte me motor si pjesë e një grupi turistësh, ku u përplas nga një makinë.

Aksidenti ndodhi paraditen e të hënës në superstradën Lezhë-Shkodër, pranë fshatit Ishull-Shëngjin.

Sipas burimeve, shkak u bë ndërprerja e mënjëhershme e rrugës nga ana e një makine që drejtohej nga një shtetas nga Kosova.

Turisti boshnjak mori ndihmën e parë mjekësore dhe mësohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Pak minuta më vonë një tjetër aksident ndodhi në superstradën Lezhë-Shkodër.

Dy makina u përplasën pranë kryqëzimit të Gjadrit dhe njëra përfundoi në flakë.

Fatmirësisht nuk pati persona të plagosur, por lëvizja në superstradë u rëndua.

Radha e mjeteve shkoi në disa kilometra, dhe u kërkua ndërhyrja e policisë për të normalizuar lëvizjen.

Aksident i trefishtë u regjistrua në Fier-Patos.Një makinë që drejtohej nga një efektiv policie u përplas me një mjet tjetër dhe një autobus.

Fatmirësisht nuk pati persona të lënduar.

Ndërkohë një makinë u dogj në Tiranë, pranë vendit të quajtur Kthesa e Kamzës.