U kap duke transportuar emigrantë të paligjshëm kundrejt shpërblimit, arrestohet 24-vjeçari në Korçë

Një 24-vjeçar është arrestuar nga policia e Korçës pasi u kap duke transportuar 2 emigrantë të paligjshëm, me një mjet që e drejtonte pa leje drejtimi.

Sipas njoftimit të bluve, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit W. H., 24 vjeç, banues në Tiranë. 

Shërbimet e Policisë Rrugore e kanë kapur këtë shtetas, në aksin rrugor Korçë-Bilisht, pranë fshatit Cangonj, duke drejtuar pa leje drejtimi mjetin tip "Volkswagen", me të cilin po transportonte për në qytetin e Bilishtit, Devoll, 2 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit, iu kishte premtuar kalimin e kufirit në drejtim të Greqisë.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprat penale "Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt" dhe "Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve".