Shi, vranësira dhe rikthimi i të nxehtit afrikan, njihuni me surprizat e motit
Meteorologia Lajda Porja në një lidhje të drejtpërdrejtë me emisionin "Ditë e Re" në RTV Ora me moderator Arjola Shehu dhe Arjon Muça ka zbuluar se si do të jetë moti gjatë kësaj jave.
Sipas MeteoAlb java ka nisur e vrenjtur, por nuk do të vazhdojnë vranësirat. Është një javë dinamike dhe me surpriza. Sot parashikohet mot me vranësira ku do të ketë dhe rrebeshe shiu.
Zonat veriore dhe pjesërisht disa zona qendrore do të rrezikohen nga disa reshje shiu të pakta, ndërsa jugu është paraqitur më tepër me kthjellime.
Dita e martë, e mërkurë dhe e enjte na presin 3 ditë me diell dhe të nxehta. Sot është një ditë e freskët dhe pritet që temperatura të jetë jo më shumë se 33 gradë.
Ditën e enjte kulmojnë temperaturat dhe i afrohet sërish temperaturës 40 gradë.
Temperatura shumë të larta priten në vijën bregdetare dhe zonat e ulëta ku sërish qarku i Beratit dhe qarku i Elbasanit presin që të kenë edhe vlerat më të larta të këtij episodi.
Dita e premte sjell një rënie të temperaturave dhe rrebeshe shiu në të gjithë zonën malore, ndërkohë e shtuna dhe e diela do jetë një fundjavë relativisht e freskët dhe sidomos dita e dielë ku do të kemi edhe reshje në një pjesë të mirë të territorit.
Madje mund të rrezikohet edhe bregdeti i Adriatikut nga rrebeshet e shiut.
