Banorët e Elbasanit “thahen” për ujë: Nuk kemi asnjë pikë, na gënjejnë, nuk po lahemi dot
Qytetarët e Elbasanit vijojnë të kenë probleme me ujin e pijshëm.
Ata dëshmojnë se uji prej ditësh nuk po shkon në shtëpitë e tyre, por edhe kur shkon orari është mjaft i reduktuar dhe ai është i pakonsumueshëm.
Edhe pse ka vite qe premtohet ujë 24 orë bashkia e Elbasanit vijon të vuajë mungesën e ujit të pijshëm, në ato zona ku shkon orari është i kufizuar, ndërsa qytetarët shprehen se ai nuk është i konsumueshëm dhe detyrohen ta blejnë.
Të revoltuar për këtë situatë qytetarët shprehen se presin në radhë nëpër çezmat publike për të marrë ujë, madje edhe natën.
"Nuk kemi fare ujë. Na kanë thënë se do të na sjellin 24 orë ujë, por na e kanë bllokuar fare. Marrim ujë andej nga puset. Lahemi njëherë në 2 javë, se s'kemi me cfarë të lahemi."
Situata bëhet alarmante kur qytetarët dëshmojnë se edhe për tu larë duhet të presin me javë të tëra.
"Nuk vjen uji, mbushim ku të gjejmë puse. Shumë keq si situatë. Lahemi me radhë."
Kryetarin e Bashkisë Gledian Llatja thonë se nuk e njohin.
"Ne sot jemi pa ujë, ndërsa vjen ai Balla dhe thotë ka ujë 24 orë. Kryetari ne bashkisë nuk e njohim fare ne."
Qytetarët thonë se janë të rregullt me pagesat e ujit dhe nuk kanë pretendime përsa i përket çmimit, por mjafton që ai të shkojë në çezmat e tyre.
