Aktivitete me muzika pas orës së lejuar, gjobitet me 1 mln lekë pronari i lokalit në Durrës

U konstatua duke ushtruar aktivitetin pas orarit të përcaktuar për mbyllje, ndëshkohet me gjobë1.000.000 lekë, pronari i një subjekti në lagjen nr.13, Durrës.

Po ashtu është proceduare penalisht edhe pronari i një tjetër subjekti në Shijak, për të njëjtën shkelje.

''Shërbimet e Stacionit të Policisë Plazh dhe të Komisariatit të Policisë Shijak vijojnë kontrollet për zbatimin e planit të masave për garantimin e rendit dhe qetësisë publike dhe monitorimin e lokaleve që vijojnë me organizimet e aktiviteteve me muzikë pas orarit të përcaktuar për mbyllje, në kundërshtim me masat anticovid të vendosura nga organet kompetente. Në zbatim të këtyre masave, shërbimet e Policisë në Stacionin e Policisë Plazh kanë konstatuar dhe ndëshkuar me masë administrative 1.000.000 lekë, subjektin me pronar shtetasin H. D., në lagjen nr.13, Plazh, pasi ka vijuar organizimin e aktivitetit me muzikë në lokalin e tij, pas orarit të përcaktuar për mbyllje.'' - njofton policia.

Gjithashtu, u procedua penalisht shtetasin V. K., 40 vjeç, banues në Shijak, pasi u konstatua nga shërbimet e Policisë, duke vijuar aktivitetin në subjektin e tij në Maminas, jashtë orarit të përcaktuar për mbyllje, në kundërshtim me aktin normativ.

Drejtoria Vendore e Policisë Durrës apelon për të gjithë administratorët e lokaleve dhe qytetarët që të respektojnë masat anticovid dhe orarin e përcaktuar për ushtrimin e aktivitetit.