Fier, sekuestrohen 100 000 € të Lumturi Çervenakut, e ëma e të dënuarit për trafik droge në Greqi

Gjykata e Shkallës së Parë, Fier ka vendosur sekuestro preventive mbi tre llogari bankare të shtetases Lumturi Çervenaku.

Vlera e këtyre llogarive në total është 100.000 euro të depozituara pranë një banke të nivelit të dytë.

Shtetases Lumturi Çervenaku është e ëma e shtetasit Rando Hodollari, i dënuar në shtetin grek për veprat penale të trafikimit të lëndëve narkotike të kryer në kuadrin e një grupi kriminal ku ai ka patur rolin e drejtuesit të grupit.

''Ky sekuestrim është kryer në kuadër të procedimit penal të regjistruar për veprën penale të “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale” të parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal. Sekuestrimi i llogarive bankare është bazuar në të dhëna të arsyeshme që provojnë se këto pasuri burojnë nga të ardhura të fituara si pasojë e aktivitetit kriminal në fushën e narkotikëve të kryer në vazhdimësi nga shtetasi Rando Hodollari në shtetin grek.'' - bën me dije gjykata.