Pogradec, 300 euro për në BE, prangoset egjiptiani që tentoi të kalonte 4 emigrantë të paligjshëm

Vazhdojnë arrestimet në kuadër të operacionit policor "Perimetri".

U kap duke transportuar 4 emigrantë të paligjshëm, vihet në pranga 1 shtetas egjiptian.

Ky person ishte duke transportuar në drejtim të Tiranës, me mjetin tip "Hyundai", 4 emigrantë të paligjshëm, kundrejt shpërblimit 300 euro për secilin.

''Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, në  bashkëpunim me strukturat për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, Policinë Kufitare dhe Policinë Rrugore, në vijim të operacionit të koduar "Perimetri", kanë goditur një tjetër rast të aktivitetit kriminal të dhënies së ndihmës shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit A. M., 36 vjeç, banues në Aleksandri, Egjipt. Shërbimet e policisë rrugore, kanë kapur në lagjen nr. 2, Pogradec, këtë shtetas, duke transportuar në drejtim të Tiranës, me mjetin tip "Hyundai", 4 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit 300 euro për secilin, iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.'' - njofton policia.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec për veprime të mëtejshme hetimore.