Korçë/ Gati magazinën për kultivim droge, bashkëpunëtori i vë flakën sapo vjen policia, arrestohet pronari

Korçë- Kishin përshtatur magazinën për kultivimin e bimëve narkotike, nëpërmjet llambave, duke vjedhur energjinë elektrike, vihet në pranga pronari i magazinës dhe shpallet në kërkim përdoruesi i saj, i cili në momentin që Policia shkoi për kontroll i vuri zjarrin ambienteve të brendshme. 

Procedohet penalisht edhe përgjegjësi i OSHEE-së, për shpërdorim detyre.

Shtetasi Robert Naslazi, 69 vjeç ka rënë në prangat e policisë për veprën penale “Vjedhja e energjisë elektrike” kryer në bashkëpunim, ndërsa u shpall në kërkim shtetasi  V. Xh., 35 vjeç, për veprat penale “Vjedhja e energjisë elektrike” kryer në bashkëpunim, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik.”

Gjithashtu policia procedoi penalisht për "shpërdorim detyre" shtetasin R.R., 58 vjeç, banues në Korçë (me detyrë përgjegjës pranë OSHEE Korçë).

Shtetasi V. Xh., kur ka konstatuar në afërsi të magazinës në pronësi të shtetasit Robert Naslazi dhe në përdorim nga ana e tij, shërbimet e Policisë që kishin shkuar për të ushtruar kontroll pas informacioneve të grumbulluara se kjo magazinë mund të ishte përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike dhe për t`i marrë deklaratë këtij shtetasi në lidhje me një ngjarje tjetër, 35-vjeçari i ka vënë zjarrin ambienteve të brendshme të saj, me qëllim që të eliminonte provat materiale dhe është larguar nga vendngjarja, duke mos iu bindur urdhrit të punonjësve të Policisë për të ndaluar.    

Gjatë kontrollit të ushtruar në magazinë, u konstatua vjedhje e energjisë elektrike dhe u gjetën të montuara disa pajisje elektrike dhe hidraulike që dyshohet se mund të shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.  

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprime të mëtejshme.