Invalidët nuk marrin paratë dhe pse kanë fituar gjyqin
Shoqata e Invalidëve Para dhe Tetraplegjikë në rang vendi kërkojnë shtesat e prapambetura të pagesave të invaliditetit, pasi sipas tyre, që nga viti 2005 deri ne 2010 kjo kategori nuk është trajtuar me pagesë të plotë siç e parashikon ligji.
"VKM doli por nuk zbatohej. Kemi fituar gjyqin dhe vendimi është i formës së prerë, të zbatohet."
Kryetari i Shoqatës, Ali Plaka, thotë se për këtë çështje i janë drejtuar gjykatës, ku dhe u mor vendim në favor të tyre.
Por, ngërçi qëndron te bashkia Tiranë dhe Ministria e Mirëqënies Sociale.
"42% na ka premtuar vetëm bashkia, ministria nuk na ka dhënë premtim fare. Nuk thotë që marr pësipër gjysmën siç e ka marrë bashkia."
Ali Plaka thotë se shteti është një dhe si i tillë duhet të vendosë për marrjen e të gjitha detyrimeve njëherësh.
"A jemi shtet? Nuk më intereson nëse mi jep bashkia apo ministria, më intereson të respektohet vendimi i gjykatës".
Shoqata i ka cilësuar këto veprime si të padrejta dhe do t’i drejtohet sërish gjykatës për çështjen në fjalë.

