KKRT shpërfill Kushtetuesen, jep lejen për ndërtimin e Teatrit të Ri Kombëtar sipas modelit Bjarke Ingels
Nisja e shqyrtimit të çështjes së Teatrit Kombëtar nga Gjykata Kushtetuese nuk e ka penguar qeverinë që të nisë procedurat për të vazhduar projektin e ndërtimit të godinës së re.
Këshilli Kombëtar i Territorit ka firmosur këtë të martë projektin për objektin e ri.
Menjëherë pas kësaj ka reaguar aleanca për teatrin që e ka cilësuar një presion ndaj drejtësisë.
Vetëm një javë më parë këshilli i ministrave i akordoi bashkisë së Tiranës shumën e rreth 7.3 milionë euro me qëllim realizimin e projektit sipas modelit të paraqitur prej "bjarke ingels."
Ka qenë ky vendim i qeverisë që ka sjellë një tjetër reagim të artistëve dhe shoqërisë civile që në datën 25 i kërkoi Gjykatës Kushtetuese të japë përgjigje sa i përket kërkesës për pezullimin e punimeve.
Por vonesa e trupës së institucionit më të lartë të drejtësisë nuk e ka ndalur mazhorancës të hedhë hapat e radhës për të nisur punimet në hapësirën ku dikur ngrihej teatri kombëtar.
Godina e teatrit kombëtar u shemb në 17 maj të vitit 2020 në orën 4 të mëngjesit. Madje në atë kohë ndaj artistëve që protestuan në mbrojtje të teatrit për 2 vite u përdorën dhe forcat e rendit dhe gaz lotsjellës.
Vetë epopeja e shembjes së godinës nisi me një ligj të posaçëm dhe me kërkesën që në rrethinat e tij të ndërtoheshin kulla shumë katëshe.
Kjo pasi kosto prej 30 milionë eurosh që u deklarua në atë kohë nuk mund të përballohej nga shteti. Ndaj në këmbim të sheshit kompania do të ndërtonte Teatrin e ri.
Ndërkohë, lidhur me këtë lajm ka reaguar edhe Aleanca për Teatrin ku e cilëson veprimin e Veliajt si një provokim të hapur.
Aleanca thekson se ndërsa çështja po shqyrtohet në Gjykatën Kushtetuese dhe nuk ka një vendim, mafia e ndërtimit po i thotë Gjykatës, se e ka marrë vendimin.
Reagimi i aleancës: Miq e mbeshtetes te Teatrit, rreth 15 minuta me pare, postieri i Kryeministrit, kryetari anti-kushtetues i bashkise, klandestini pa atdhe qe nginjet si shushunje çdo dite duke aplikuar sistem mbledhjesh taksash si ai timarit, provokon duke zyrtarizuar lejen per fillimin e punimeve te Sheshi i Teatrit, te vendi i krimit, ne pasurine tone te perbashket, qe e mbajne rrethuar prej nje viti si shesh ndertimi. Postimi ka vetem nje mesazh, ne nuk njohim asnje pushtet tjeter perveç nesh.
Nderkohe qe çeshtja po shqyrtohet ne Gjykaten Kushtetuese, dhe nuk ka nje vendim, mafia e ndertimit po i thote Gjykates, shih se ne e kemi marre vendimin, ju beni si te doni. Kjo nuk ka asnje ndryshim se huri qe kemi ngrene ne kurriz, se gazi i lotsjelles i gulçeve, se fadromat mbi kokat tona, se automatiku drejtuar aktivisteve. Nuk ka asnje ndryshim! Na takon ne te gjithe te tregojme se sa do e pranojme akoma kete perdhosje te lirive tona. Teatri eshte thellesisht çeshtje politike, e mos te mendoje njeri se do ushtroje gjuhen e aksionit politik, duke mos themelu aksionin e vet te kauzat. Te te gjitha!
Populli ka energji, eshte i pashtershem, eshte i njejti popull qe e mban Republiken ne kembe me pune e taksa, eshte vetem populli qe mund ta shpetoje demokracine, ne ushtrimin natyror te sovranitetit te vet. Jemi besim plote qe te ne akoma ka energji per te luftuar, na duhet t'i aktivizojme.

