FSHF: Më në fund rikthehen, ekipet shqiptare me tifozë në aventurën europiane

Federata Shqiptare e Futbollit ka reaguar pas vendimit që konfirmon nga sot, praninë e tifozëve në stadiume edhe pse me numër të limituar.

Qeveria e futbollit shqiptar, thekson se futbolli kaloi 16 muaj të vështirë për shkak të pandemisë dhe se tani bëhet gati për të rinisur ashtu siç e meriton, me tifozë në stadiume.

“Pas thuajse 16 muajsh pa tifozë në stadiume, për shkak të pandemisë së shkaktuar nga Covid-19 që preku të gjithë botën, Komiteti Teknik i Ekspertëve mori një muaj më parë vendimin që prej 1 korrikut 2021 do të lejohen kampionatet sportive me prezencë të tifozëve me kapacitete të reduktuara deri në 30% të stadiumit, sipas protokollit të Institutit të Shëndetit Publik. Kështu, duke filluar nga sot, tifozët mund të jenë të pranishëm në stadiumet shqiptare dhe mund të ndjekin finalen e Kategorisë Superiore U-15 që do të zhvillohet në stadiumin “Selman Stërmasi” si edhe finalet e turneut të përfaqësueseve rajonale për grup-moshat U-14 dhe U-13 që do të luhen në stadiumin “Elbasan Arena”.

Gjithashtu FSHF bëri të ditur se edhe ekipet shqiptare që do të marrin pjesë në Kupat e Europës, do të kenë mundësi që të luajnë me tifozë me numër të limituar në impiante për të mos harruar më pas Shtatorin ku do të jetë kombëtarja kuqezi.

“Gjithashtu, skuadrat shqiptare që marrin pjesë në kompeticionet e UEFA-s, Teuta, Vllaznia, Partizani dhe Laçi, në ndeshjet e kthimit që do të luhen në Shqipëri, do të kenë mundësi të kenë një numër të limituar tifozësh në shkallët e stadiumeve, me 30% të kapacitetit të tij. Më tej, nga shtatori do të rikthehen emocionet edhe për tifozët kuqezi, të cilët do të kenë mundësi të ndjekin Kombëtaren nga afër, në ndeshjen e vlefshme për kualifikueset e kampionatit Botëror “Katar 2022” ndaj Hungarisë më 5 shtator dhe tre ditë më vonë kundër San Marinos”, perfundon FSHF ne reagimin e saj ne faqen zyrtare.