Operacioni “Fshesa në Polici", lirohen nga detyra Gjovalin Loka dhe Alban Çela
Fillimi i muajit korrik shënoi edhe lëvizjet e para në polici në rang drejtuesish. I pari që u lirua nga detyra ishte drejtori i Departamentit të Sigurisë Publike në Policinë e Shtetit, Gjovalin Loka, dhe pas tij Alban Çela, i cili mbate detyrën e drejtorit të Drejtorise se Policisë së Kukësit. Paralajmërimet për përjashtime kanë ardhur si nga ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, por edhe nga drejtuesi madhor i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.
Në radhët e Policisë së Shtetit kanë nisur edhe largimet e para në rang dejtuesish.
Pak ditë më parë ishte vetë Ministri i Brendshëm, i cili gjatë një konference paralajmëroi ndryshimet në kupolen e uniformave blu.
I pari i cili u 'dogj' nga riformatimi i policisë ishte drejtori i Departamentit të Sigurisë Publike në Policinë e Shtetit, Gjovalin Loka.
Ai është liruar nga detyra këtë të enjte dhe sipas burimeve pritet që të trasferohet më një tjeter detyrë.
Loka kishte që prej vitit 2018 që ishte në krye të këtij posti.
Po ashtu më hëret ai ka qenë shef i Komisariatit nr. 1 në Tiranë, dhe më pas vijoi në disa nga drejtoritë më të rëndësishme të vendit, si ajo e Lezhës, Shkodrës dhe Vlorës.
Edhe drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës, Alban Çela, ka pasur të njëjtin fat si kolegu i tij Gjovalin Loka.
Çela zëvendësoi nëntorin e kaluar në këtë funksion Erigert Mitrin, teksa ky i fundit u transferua në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë.
Ndryshime pritet të ketë në disa drejtori të rëndësishme të vendit jo vetëm në rang drejtuesish por edhe në pozicionin e shefave të seksioneve të ndryshme.
Riformatimi i policisë ishte pjesë e diskutimeve në mbledhjen që Ardi Veliu zhvilloi me vartësit e tij pak ditë më parë për shkak të ngjarjeve të fundit kriminale.

