Vetëm 4 leje në Velipojë, Ademi thotë se Ministria e Turizmit dështoi: 1 korrik dhe s'kemi të ndara stacionet e plazhit
Teksa Policia e Shtetit dhe agjensitë mësynë bregdetin kundër paligjshmërisë, në Velipojë vetëm 4 subjekte rezultojnë të kenë marrë lejet për shfrytëzimin e hapësirës publike për vendosje shezlonesh e çadra.
Kryetarja e bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, për këtë situatë bën përgjegjëse Ministrinë e Turizmit dhe Agjensinë e Bregdetit, në një kohë kur kemi hyrë në muajin korrik.
Ademi: Në plazhin e Velipojës deri tani janë vetëm katër subjekte që kanë marrë kontratat për stacionet e plazhit ndërkohë me dhjetëra të tjerë janë akoma në proces.Ministria akoma nuk ka përfunduar ashtu siç do të duhet ta kishte përfunduar para fillimit të sezonit turistik ndarjen e stacioneve të plazhit për hapësirat që vetë i ka miratuar.
Ka një mënyrë tjetër për ta bërë këtë pa përdorur presionin publik, pa dëmtuar imazhin publik. E para gjë që do të duhet të bëjmë është që me një bashkëpunim të afërt me pushtetin vendor të marrin të gjithë informacionin që u duhet. Nuk ka ndodhur asnjëherë që me 1 korrik të mos kemi të ndarë stacionet e plazhit.Zakonisht në korrik kemi filluar monitorimin e zbatimit të kontratave dhe kemi vijuar me lirimin e atyre hapësirave publike por ndërkohë të gjithë kanë qenë në punë, që është një normë sigurie për të gjithë bizneset që funksionojnë atje.
Për Ademin prezenca e policisë me të tilla aksione e dëmton turizmin, ndërsa shton se zvarritja lë vend për dyshime korrupsioni.
Kur plazhet i menaxhuan bashkitë nuk pati ngjarje të rënda si masakra e Velipojës, thotë Ademi që edhe në këtë pikë kryetarja në detyrë e bashkisë Shkodër akuzon Ministrinë dhe Agjensinë e Bregdetit si përgjegjëse.
Ademi: Në katër vite që është administruar nga pushteti vendor në të gjithë Shqipërinë jo vetëm për Shkodrën, nuk kemi pasur ngjarje të tilla të rënda, të paimagjinueshme, të paprecedenta.Fakti që ka mosmarrëveshje të tilla në bregdetin e Shqipërisë është një tregues i mirë për të thënë që çdo gjë territoriale duhet të menaxhohet në nivelin territorial ashtu sikurse ligji ja ka përcaktuar pushtetit vendor. Çdo marrje kompetence apo vendimmarrje lë për të dëshiruar, në emër të gjoja transparencës por në fakt është korruptive, nuk ka vend dhe sjell pikërisht këtë çfarë ndodh në territor, konflikte që mendoj se duhet të ishin parandaluar.
Plazhi i Velipojës ka një vijë bregdetare që i kalon 14 kilometra dhe gjithsej kanë aplikuar mbi 30 subjekte për shfrytëzimin e saj.
