"Cili ishte faji i tyre? Aksidentet nuk ndodhin aksidentalisht", drejtësi për familjen Gushi
“Erdhëm me këngë dhe nëna na priti me vaj”
Ky ishte fati tragjik i familjes Gushi, që u rikthye nga emigracioni në Shqipëri për pushime e nuk i gëzoi dot.
Të afërm e qytetarë të Fierit dolën të martën mbrëma, në një proteste homazh, ku përcollen me lot thirrjet për drejtësi, pranë fotos së 4 viktimave të aksidentit të 25 qershorit, vendosur në mes të sheshit.
Të afërmit e familjes Gushi i bënë thirrje autoriteteve përgjegjëse të vendosin drejtësi, ndërsa qytetarëve të reflektojnë.
"Nënat të gjitha të më dëgjojnë, të ngrihen dhe t'i flasin fëmijëve. Mos t'i japin makina 100-200 mijë euro, por t'i marrin fëmijët dhe t'i edukojnë," tha e ëma.
"Ditë për ditë vriten, ditë për ditë plagosen. Dhe unë kam fëmijë, kanë makina fëmijët e mi. nuk bëjnë të tilla dallavere," tha xhaxhai.
"Nuk i ngjallim dot shpirtin dhe zemrat e tyre, pro çdo njeri duhet të mendojë dhe i tërë populli i Fierit duhet të kishte dalë këtu."
Në shesh u përcollën dhe fjalëet e fundit të Anastasias, 14 vjeçares që i kishe hedhur këto radhë në ditar para nisjes për në Shqipëri.
"Sapo filloi behari dhe për 1 muaj do shkojmë në Shqipëri. Jam shumë e lumtur që do takoj nënën, gjyshin, tezen. Dua kur të vete në Shqipëri të dal dhe të ble shumë gjëra, dua të vete në shumë vende që nuk kam shkuar."
"Hiqe këmbën nga gazi, mund të vdesë fëmija jot nesër!"
"Kërkoj sot drejtësi për fëmijët e mi që nesër të shpëtoj fëmija yt."
"Drejtësi! Mund të isha unë ose ti."
"Kemi frikë të dalim nga shtëpia."
"Na thoni ku kanë gabuar, cili ishte faji i tyre?"
"Aksidentet nuk ndodhin aksidentalisht."
"Shpejtësia është thikë që pret jetë."
"Erdhëm me këngë dhe nëna na priti me vaj."
"Sa kushton jeta e një njeriu në Shqipëri?"
"Shpirti ynë kërkon drejtësi, si i bëhet për dhimbjen tonë?"
Këto slogane nga sheshi i Fierit shkuan për të gjithë ata që janë në timon, për prindërit dhe autoritetet, në mënyrë që tragjedi të tilla të mos përsëriten.
