Xhemani: Shteti ta zgjidhë çështjen e bregdetit qysh në dimër jo në verë, vuajmë nga keqmenaxhimi
Në një intervistë për RTV Ora, ekspertja e turizmit Flora Xhemani Baba u shpreh se në vend që të diskutohet për zhvillimin e turizmit, diskutohet për plehrat, rrëmujat dhe vrasjet në plazh.
Ajo tha se Politikat e administrimit të bregdetit nuk duhen lënë që të zgjidhen në qershor apo korrik, por zgjidhen në dimër dhe në fund të majit gjithçka duhet të jetë e përfunduar.
Xhemani Baba: Çdo ngjarje negative ndikon në sezonin turistik. Në vend që të diskutojmë për zhvillimin e turizmit, ne diskutojmë për plehrat, rrëmujat dhe vrasjet në plazh. Unë besoj se i vetmi që mund ta zgjidhë këtë situatë është shteti. Politikat e administrimit të bregdetit nuk duhen lënë që të zgjidhen në qershor apo korrik, por zgjidhen në dimër dhe në fund të majit gjithçka duhet të jetë zgjidhur. Kjo po shihet si problematikë në terren tashmë. Një çështje e tillë duhet të zgjidhet nga ekspertët e fushës.
Shteti është shumë pak i pranishëm dhe shumicën e herëve jo në vendin dhe kohën e duhur. Privati e ka bërë punën e tij atë që ka pasur në dorë. Sigurisht që privati kërkon që të përfitojë për veten e tij, por shteti si rregullator duhet t'i administrojë këto gjëra me politika të veçanta. Nuk ka pse bëhet reprezalje në verë. Sigurisht që problematikat nuk mund të zhduket komplet, por mund të zbuten shumë, por duke u lënë kështu ato do të vazhdojnë të dalin mbi ujë.
Xhemani Baba shtoi se sa i përket numrit të lartë të turizmit, nuk është se rritja e turistëve është meritë e qeverisë, por ka ardhur Shqipëria është destinacion Ballkanik i vizituar.
Xhemani Baba: Sa i përket numrit të lartë të turizmit, nuk është se rritja e turistëve është meritë e qeverisë, por ka ardhur sepse ne jemi destinacion Ballkanik dhe jemi një vend shumë i vizituar. Vitet e fundit vija bregdetare e Ballkanit është kthyer në një destinacion shumë të vizitueshëm. Ne krahasohemi me Malin e Zi, ai është më i zhvilluar sepse ka një organizim shumë më të mirë se sa ne, edhe pse ka 3 herë më pak vijë bregdetarë se në. Ai ka një diapazon shumë më të madh çmimesh që fillojnë qysh nga 5 euro deri në 5000 euro, ndërsa në vendin tonë nuk i gjen të gjitha llojeve të ofertave, duke bërë një mish-mash.

