Qindra ton mbetje ende rrugëve të qytetit, durrsakët: Katastrofë, na mbytën kalamajtë!

Pavarësisisht se të hënën Bashkia e Durrësit ka arritur të bëjë një kontratë provizore me landfillin e Bushatit, dhe atë të Sharrës për depozitimin e mbetjeve urbane atje, zonat periferike të Durrësit edhe të martën kanë qenë të mbushura me mbetje. Banorët shprehen të shqetësuar për situatën ndërsa bëjnë thirrje për gjetjen e një zgjidhje.

"Jetojmë mes plehrave në 2021."

Kështu shprehen banorët e Durrësit pas krizës së mbetjeve që ka përfshirë qytetin bregdetar.

Kontenjerët dhe hapësira rreth tyre janë edhe të martën të mbushura plotë.

"Katastrofë, ja ku po i rrisim fëmijët. Bashkia dhe shteti që nuk i japin rrugëzgjidhje."

"Na qelbën fare, na mbytën kalamajtë. Helm është".

Janë të shqetësuar për situatën, pasi thonë se ata paguajnë taksa pastrimi por askush nuk e pastron zonën.

"Ky shtet çfarë bën? Taksa paguajmë kudo që shkojmë.Ku është ai zotëria që është bërë 5 metër i gjatë?"

I kujtojnë qeverisë dhe Bashkisë votën që ua dhanë.

"Morën votat dhe nuk e çajnë kokën më."

"I kam dhënë votën, ja ku janë."

Thonë se nuk shqetësohen më për pandeminë, pasi virusin e kanë në derë të shtëpisë, në rrugë, e në lagje nga mbetjet.

"Ja ku e ke virusin, gjithë Durrësi turp dhe faqja e zezë!"

Të hënën Bashkia e Durrësit arriti që të bënte një kontratë provizore me landfillin e Bushatit në Vau të Dejës ku disa ton mbetje u shkarkuan atje, ndërsa pak orë më vonë duke parë situatën e rëndë të krijuar në qytetin bregdetar edhe landfilli i Sharrës hapi dyert për Durrësin duke u premtuar depozitim të mbetjeve falas deri me datën 15 korrik, pasi është marrë parasysh edhe gjendja e rëndë financiare e Bashkisë së drejtuar nga sociailistja Emirjana Sako.

Në këtë situatë Durrësi vijon të jetë në krizë për sa i përket menaxhimit të mbetjeve pasi pavarësisht se mbetjet aktualisht po depozitohen në Sharrë dhe Bushat, ende nuk ka një kontratë afatgjatë me asnjë landfill.