Kokaina nga Ekuadori do nxirrej nga porti i Durrësit për 20 mijë lekë. Momentet e tensionit kur zbuluan se pakot ishin me oriz
Prokuroria e Posaçme ka paraqitur sot konkluzionet përfundimtare për dy të pandehurit e Ardian Bega dhe Altin Myslihaka të akuzuar për trafikimin e 137 kg kokainë nga Ekuadori në Shqipëri.
I akuzuar për këtë ngjarje është edhe Gentian Malindi, i cili ndodhet në kërkim prej dy vitesh dhe për këtë shkak, procesi ndaj tij është pezulluar deri në vendosjen në pranga.
Ora News siguroi dokumentin e konkluzioneve të SPAK ku zbulohet dëshmia e punonjësit të sigurisë së portit të Durrësit, Ardian Bega, i cili thotë se në këmbim të nxjerrjes së pakove do ta shpërblente me “një kafe” 20 mijë lekë të reja nga Gentian Malindi.
Prokuroria kërkon 13 vite burg për Ardian Begën, të cilit me gjykim të shkurtuar dënimi i shkon në 8 vjet e 8 muaj burg dhe 18 vite burg për Altin Myslihakan, që nga gjykimi i shkurtuar shkon në 12 vite burg dhe 13 vite.
Deshmia e Ardian Beges
“Para 3-4 ditësh më ka marrë në telefon Gentiani dhe më ka kërkuar të takoheshim, ku ai më ka kërkuar që ta ndihmoja për të nxjerrë diçka nga terminali i kontejnerëve, duke krijuar mundësinë e shmangies së rojës në hyrjen e sheshit të kontejnerëve dhe për këtë ai do të më jepte një kafe.
Më datë 19.09.2019, paradite Gentiani më ka marrë në telefon dhe më ka lënë takim rreth orës 17:30 tek Ura e Dajlanit.
Jam takuar me Gentianin dhe kemi shkuar të pimë kafe në një lokal në rrugën e plazhit….
U nisëm drejt portit dhe kemi hyrë në port nga krahu i Urës së Dajlanit, ku Genti çekoi lejen e tij të hyrjes në port. Kemi vazhduar rrugën drejt sheshit të kontejnerëve dhe jemi parkuar përpara hyrjes së sheshit. Aty pashë që rojë ishte kolegu im B…H.., kur pashë që ishte ai, i kam kërkuar Gentit të më tregonte se sa ishte kafja dhe përsëri e kam pyetur nëse kishte ndonjë problem. Gentiani më tha se do më jepte 20.000 lekë të reja dhe më tha se s'kishte asnjë problem.
E mendova se edhe pa mua ata mund të mbaronin punë, kur pashë B… por gjithsesi ju gëzova shpërblimit që do merrja. Jemi rrotulluar dhe kemi bërë një xhiro deri te peshkimi i ri.
Pasi u kthyem përsëri te sheshi i kontejnerëve, kam dalë nga makina dhe i jam afruar makinës ku shiten produkte të ndryshme, që është ngjitur me post rojën, i kam folur Bashkimit dhe i kam thënë nëse donte të pinte ndonjë gjë nga unë dhe vendosëm të pinim nga një gotë raki.
Gjatë kohës që unë po i afrohesha Bashkimit, shoku i Gentit doli nga makina, nga krahu që dola unë, ai kishte veshur një jelek fosforeshent dhe u drejtua drejt kontejnerëve brenda sheshit. Gjatë kësaj kohe unë mora Bashkimin dhe u ulëm për të pirë nga një gotë raki.
Në këto momente Gentiani qëndroi vetëm në makinë. Lokali ku unë qëndrova me Bashkimin ishte rreth 20-30 m larg nga vendorja. Pas rreth 15 minutash aty më erdhi Genti me makinë dhe më tha se duhej të lëviznim. Jam çuar dhe kam hipur në makinë, pashë që Genti ishte vetëm dhe e kam pyetur ku është ai djali, a mbarove punë dhe ai më tha jo jo s'kam mbaruar, po hajde se më morën në telefon. Aty kuptova se Gentiani ishte i shqetësuar, kemi bërë një xhiro me makinë deri te Vollga dhe jemi kthyer përsëri në portë, tek porta nr.2, të dyja herët Gentiani ka çekuar me lejen e tij të hyrjes. Kemi vajtur përsëri tek sheshi i kontejnerëve, sapo jemi afruar aty kam parë shokun e Gentit me çantë në dorë që u afrua tek makina dhe hipi nga krahu i shoferit, mbrapa Gentianit.
Dolëm përsëri tek porta nr.2, kur dolëm ai mori në telefon një shok të tij dhe i përcaktoi vendin e takimit, sapo dolëm nga porti Gentiani i tha shokut të tij "Shtype, shtype pak..jep si boshllëk?", ai ju përgjigj "po ashtu më duket", Genti i tha "nxirre ta shikoj me çfarë është mbështjellë", ai nxori nga çanta një kallëp dhe ja tregoi, Genti i kërkoi t'i nxirrte dhe një tjetër, në momentin që ai po e nxirrte Genti e pyeti "sa ishin 22?" dhe shoku i tij ju përgjigj "po."
Në ato momente mua m'u tha pështyma në gojë dhe kam arritur t'i them vetëm dy fjalë "Çfarë është kjo?"
Gentiani më tha vetëm pusho me nerva dhe vazhdoi bisedën me shokun e tij. Kur Genti mori pakon në dorë i tha shokut të tij "nuk është kjo mbështjellja, qenka lojë" dhe tha "mos flisni se ka çip."
Kuptova se ishte shumë i acaruar dhe po ecte tmerrësisht shpejt. Kur ndodheshim diku afër Plepave, Gentiani i tha shokut ët tij "çajë një ta shohim", ai me zor e çau dhe i tha Gentianit "është oriz."
I nevrikosur Gentiani i tha përsëri "çaj dhe një tjetër" pasi ai çau dhe pakon e dytë ai përsëri i tha se ishte oriz.
Në këtë kohë Gentiani i tha "hidhe çantën."
Unë personalisht u tremba shumë dhe nuk kam folur asnjë fjalë, di që Gentiani ka ecur si i tërbuar me makinë dhe pas një farë rruge më ka lënë mua tek shoku i tij që takuam në lokal në fillim, pro që nuk ishte me ne në port.
Nga tronditja nuk mbaj mend as se ku kam zbritur nga makina e Gentit dhe as se ku isha në ato momente. Di që shoku i tij më çoi të Ura e Dajlanit, pasi më pyeti ku e kisha lënë makinën. Në një moment atë e mori në telefon dikush dhe unë kuptova se mund të ishte Gentiani, e pyeta se çfarë i kishte thënë Genti dhe ai mu përgjigj se i kishte thënë se po më çonte te makina" thuhet në dokumentin e siguruar nga Ora News.
Çfarë ka ndodhur?
Pas tri ditëve lundrim në det katër kontenierët të cilët grupi i Gentian Malindit i priste me kokainë në Durrës kanë prekur tokën shqiptare mbrëmjen e 17 shtatorit në orën 21:24 minuta ndërsa 19 shtatori të thirrur nga Malindi, Altin Myslikhaka dhe Ardian Bega paraqiten në terminal dhe hapin një nga kontenierët duke marrë prej atyre disa pako me çantë dore.
Kokaina ishte zëvendësuar në portin e Pireut, Greqi, me oriz me qëllim dorëzimin e kontrolluar dhe kapjen e pritësve të saj në Shqipëri.
Në konkluzionet përfundimtare prokurori, Edvin Kondili, tha se porositësi i sasisë së lëndës narkotike është Gentian Malindi, i cili është shpallur në kërkim dhe procesi ndaj tij është pezulluar pasi policia nuk ka mundur ta arrestojë
Pakot që ishin zëvendësuar me oriz u gjendën më 19 shtator 2019 të hedhura në hyrjen e një tuneli në vendin e njohur si Shkëmbi Kavajës, i cili ndodhët në rrugën dytësore, në anën lindore të autostradësm e cila mban drejtimin e lëvizjes Goeln- Plepa, dhe ndodhet përball ëme hotel “Leonardo”.
Shenim: Materiali u sigurua nga gazetarja e Ora News Keti Banushi, përgatiti për web redaksia online)
