Forcat speciale po keqpërdoren, ish-komandanti i RENEA-s: Dërgohen në detyra që s'ju takojnë
Kreu i Sindikatës së Punonjësve të Policisë së Shtetit komentoi deklaratat e ministrit Çuçi për riformatim të policisë. Sipas Fishtës, reforma duhet të ishte bërë kohë parë, dhe se deklaratat e Çuçit janë thjesht politike.
Paralajmërimi i Ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi, për reformimin e strukturave të policisë me anë të ndryshimit të drejtuesve në qarqe, kreu i Sindikatës së punonjësve të policisë, Sadetin Fishta, e shikon si deklaratë politike, pasi ristrukturimi i organeve të rendit duhet të ishte bërë kohë më parë pa pritur përkeqësimin e ngjarjeve kriminale.
"Deklaratat e ministrit janë politike dhe policia ka nevojë për reforma të thella jo vetëm strukturore por edhe në teknologji dhe reforma sociale. Cila do të jetë performanca e një polici kur e di që nuk ka sigurim jetë në ndërhyrjet që ju bëhen grupeve kriminale, sigurisht që do të ketë tërheqje, është e kuptueshme."
Sadetin Fishta, i cili gjatë karrierës në polici ka mbajtur edhe detyrën e ish-drejtuesit të repartit elite, RENEA, komentoi aksionin e ndërmarrë 2 javë më parë në disa qytetet më problematike për sa i përket krimit.
Ai thotë se forcat speciale po keqpërdoren pasi po dërgohen me urdhër në detyra jashtë kompetencave që kanë me ligj.
"RENEA nuk është për kontrolle rutinë, nga emri dihet se çfarë detyrash funksionale ka. Është repart për neutralizimin e elementit të armatosur."
Aksioni i RENEA-s, i cili zgjati për gati 3 ditë u përfol gjatë në media përfshirë edhe skenat e kontrollit ndaj të rinjve që shikonin ndeshjet e Kampionatit Europian. Policia ka deklaruar se objektivi i kontrolleve të RENEA-s ishte arrestimi i personave me rrezikshmëri të lartë por edhe të atyre të shpallur në kërkim, por aksioni u mbyll me më shumë persona të shoqëruar se sa të arrestuar.

