Lapaj numëron shkeljet e Ministrisë me specializantët: Maskarallëk! S'mund të jetojnë 5 vite me frymën e shenjtë
Në protestën e parë të mjekëve specializantë kundër vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë për tu shkëputur kontratën e punës ishte edhe avokati dhe aktivisti Adriatik Lapaj si përfaqësues ligjor i tyre por edhe si qytetar.
Ai i kërkoi qeverisë dhe Ministrisë të tërhiqen sa më parë nga kjo shkresë.
Sipas Lapaj, është e paprecedent sesi një shtet u kërkon mjekëve të rinj të specializohen për 4-5 vite për të shërbyer për të nesër dhe gjatë kësaj periudhe pretendojnë që ata të jetojnë me "frymën e shenjtë."
Për ta bërë edhe më të kuptueshme situatën, ai kujtoi se nuk po flasim për studentë, por për moshë madhore, familjarë dhe kryefamiljarë.
Lapaj: Dua t'i them të gjithë qytetarëve, prindërve që kanë fëmijët në gjimnaze, në 9-vjeçare dhe që mendojnë të vazhdojnë studimet në këtë vend, që këta konsiderohen ajka e studentëve shqiptarë. Në Fakultetin e Mjekësisë shkojnë më të mirët e për pasojë, sakrifica që këta kanë bërë dhe bëjnë është e jashtëzakonshme.
Dhe ti thuash specializantëve, të cilët përgjithësisht kur bëjnë specializimin janë në një moshë të avancuar. Nuk janë studentë 18, 19 vjeçarë që ndoshta mund t'i mbajnë familjet e tyre. Të thuash që bëni 4 ose 5 vite specializim, duke jetuar me frymën e shenjtë është në rastin normal paaftësi, në rastin e keq është maskarallëk.
Këta janë kategoria më e mirë e shtetit shqiptarë, të cilëve po u thuhet specializohuni ju për ne nesër , por ndërkohë fëmijët tuaj të hanë ajër për këto katër vite dhe kjo është e padrejtë.
Qeveria këtu duhet të tërhiqet me patjetër. Sa i përkon aspektit ligjor, cili nga këta kanë kontratë pune individuale për veç se si kolektiv, duhet të kishin një kontratë kolektive me të gjithë institucionin e Ministrisë së Shëndetësisë. Por secili nga këta ka lidhur një kontratë individuale, që ka afate të ndryshme, kohë të ndryshme të lidhjes, kohëzgjatje të ndryshme. Jemi përballë faktit, ku Ministria e Shëndetësisë i heq në bllok, shkelja e parë.
Shkelja e dytë është, duke qenë se hiqen më shumë se 20 punonjës nga puna do të thotë heqje kolektive nga puna. Dhe për pasojë kolektivi përcakton qartë se me përfaqësinë e tyre duhet te negociohet, jo për pak ditë.
Bëhet fjalë për muaj, për të gjetur një rrugë ku të gjitha palët të arrijnë në një dakordësi. I është dërguar një shkresë Ministrisë së Shëndetësisë dhe unë ju them që me përgjegjësi të plotë do e çojmë këtë çështje deri në fund. Do e çojmë këtë çështje deri në fund dhe pa shkuar në gjykatë, sepse është një kauzë e drejtë. Shqiptarët nuk e kanë luksin që të dërgojnë 1.000 mjekë në rrugët e Evropës.
I bëj thirrje Ministres së Shëndetësisë ti presë mjekët në takim, të reflektojë. Paguaje biletën e autobusit me frymën e shenjtë, paguaje bukën e përditshme me frymën shenjtë. E katandisin kategorinë, që të vetmen rrugë të shikojnë emigrimin.
