Çuçi "lan duart": Policia nuk mund të jetë pas çdo makine apo çdo konflikti mes fqinjëve
Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, ka shmangur përgjegjësitë e policisë së shtetit në ngjarjet e fundit, ku 4 viktima mbetën në aksident dhe katër në përplasjen me armë në Velipojë. Policia, tha ai, nuk mund të kontrollojë çdo makinë që qarkullon, dhe nuk mund të jetë në çdo konflikt mes fqinjëve. Nga ana tjetër ai fajësoi gjyqësorin për lirimin e personave të rrezikshëm, çka pasohet me ngjarje të dhimbshme. Gjithësesi nga java e ardhme Ministri paralajmëroi ndryshim të drejtuesve të lartë të rendit, si dhe kontrollin e pasurisë për drejtuesit e mjeteve të shtrenjta kur shkeljen e ligjit e kanë të përsëritur.
Katër viktima në autostradën e Vlorës dhe katër të vrarë në plazhin e Velipojës kanë detyruar Ministrin e Brendshëm të dalë në konferencë për mediat.
Duke u shprehur se janë ngjarje tronditëse që kërkon reflektim prej të gjithëve, Bledi Çuçi, mbron sjelljen e policisë.
Çuçi: Ditët e fundit jemi tronditur të gjithë nga dy ngjarje të njëpasnjëshme. Një aksident tragjik rrugor, me pasojë katër jetë njerëzish, si rezultat i shkeljes së çdo rregulli shpejtësie nga ana e vrasësit, dhe një tjetër ngjarje me armë zjarri ku humbën jetën katër persona, për një parcelë plazhi në Velipojë.
E mirëkuptoj plotësisht shqetësimin publik që kanë krijuar këto dy ngjarje, si edhe ankesën e zëshme ndaj Policisë së Shtetit. Por, dua të theksoj fort se: Policia e Shtetit, përtej të metave apo dobësive të saj dhe përmirësimeve të mëtejshme që duhen dhe do të bëhen, as nuk ndjek çdo makinë që lëviz në rrugët e vendit, e as nuk mund të parandalojë një sherr në orën 1 të natës mes dy fqinjëve.
Verifikim pasurie për makinat e shtrenjta kur përsërisin shkeljet
Për të ulur rastet e shkeljeve të kodit rrugor propozohet një tjetër masë.
Çuçi: Po ashtu, do të krijojmë një kuadër rregullator të ri, për të futur praktika të hetimit të të ardhurave të drejtuesve të makinave të shtrenjta që kapen në mënyrë të përsëritur në kundërvajtje ligjore në qarkullim. Nga ana tjetër, do të çohet më tej dhe do të përfundojë pajisja e efektivëve të qarkullimit me kamera trupi.Komisariati Digjital po forcohet nga pikëpamja teknologjike dhe operative, dhe më herët sesa vonë, do të jetë në dispozicion të çdo qytetari për t’u bërë krah i Policisë së Shtetit ne identifikimin dhe ndëshkimin e shkelësve të ligjit.
ILD të hetojë gjyqtarët që kanë liruar persona të rrezikshëm
Për situatën kriminale, Ministri i Brendshëm drejton gishtin te gjyqësori dhe te prokuroria.
Duke theksuar se kjo nuk është ndërhyrje në sistemin e drejtësisë, ai flet me emra dhe raste.
Cuçi: Të dyja rastet fatale kërkojnë sigurisht në radhë të parë një reflektim nga të gjithë, pa përjashtim, përfshirë këtu edhe Policinë e Shtetit, të cilës gjatë Mandatit tonë të Tretë qeverisës, do t’i vihen në dispozicion edhe dronë super-inteligjente, si dhe një sistem modern monitorimi i rrugëve, që gjeneron në kohë reale gjoba për shkelësit e kufijve të shpejtësisë. Po mbi të gjithë, duhet të reflektojnë gjykatësit që nuk kanë kaluar ende procesin e Vettingut, dhe që operojnë rëndom me parimin ‘Kap ça të kapësh’. Sepse Policia e Shtetit ndalon, por nuk dënon shkelës e kriminelë, ata i dënon GJYKATA.
Mjafton t’ju marrë një shembull:
Ne kemi shtrënguar masat kundër armë mbajtjes pa leje, ku vetëm këtë muaj, pra në Qershor, në tri raste si ai i Shkodrës, Vlorës dhe Fierit, janë ndaluar në flagrancë nga strukturat e Policisë së Shtetit për armëmbajtje pa leje, tri shtetas, madje në një rast arma e zjarrit që mbahej pa leje kishte fishek në fole gati për qitje.
Por fatkeqësisht, prokurorët dhe gjyqtarët, si rasti i prokurores Edlira Cufi në Shkodër, apo dyshja e prokurores Elona Alvora dhe gjyqtari Albert Spiro në Vlorë, si dhe prokurori Erind Rahovica dhe gjyqtari Pirro Sota në Fier, përkundër kushteve të padiskutueshme të flagrancës, kanë dhënë masa lehtësuese duke i çuar në shtëpi të pandehurit, megjithëse minimumi i dënimit për këto vepra penale është 3 vjet heqje lirie.
Ose, nga ana tjetër, pavarësisht shtrëngimeve të reja të futura rishtazi në Kodin Rrugor, vendimet e disa gjykatësve të tjerë, për aksidentet rrugore me pasojë vdekjen apo plagosjen, janë në gjykimin tonë skandaloze dhe në keqinterpretim të ligjit.
E pra, këto janë fakte që dëshmojnë qartë nevojën për një reagim të shpejtë dhe energjik nga ana e Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë dhe strukturave të reja drejtuese të sistemit gjyqësor, ndaj individëve papërgjegjshmërisht të rrezikshëm për shoqërinë tonë.
Këto sa përmenda nuk janë ndërhyrje në punën e gjyqësorit dhe institucioneve të tjera të pavarura, por shembuj ulëritës të asaj se si nuk duhet të jetë forca e ligjit ndaj atyre që e shkelin atë.
Edhe në rastin e Velipojës, Çuçi e kalon topin te Ministria e Turizmit.
Çuçi: Jo më pak skandaloze ka qenë edhe gjendja me marrjen në administrim të plazheve: Tanimë ka rregull e procedura transparente në ndarjen e tyre përmes shërbimit nga platforma e-Albania. Policia e Shtetit nuk ndan parcela plazhesh për administrim, po vetëm zbaton ligjin për mosprekjen e hapësirave të plazheve publike të cilat janë rikthyer njësoj si edhe mbrojtja policore ndaj ndërtimeve pa leje, pas dekadash xhungëlizimi të zonës bregdetare.
Përballë gazetarëve mohon të ketë pasur denoncim për zaptimin e hapësirave në zonën ku u vranë katër persona.
Çuçi: Nuk ka pas denoncim për shezllonet mund të ketë pasur ankimim se pse ja kemi dhënë këtë shezllon.
Për të treguar se nuk jemi në kushte alarmante nga krimi dhe aksidentet, Ministri ju referua statistikave.
Çuçi: Kam vënë re se disa flasin me të madhe për rritjen e kriminalitetit apo të fataliteteve në qarkullim. Por kjo është thjeshtë e pavërtetë dhe faktet e shifrat pohojnë krejt të kundërtën.
Ristrukrutim policisë
Megjithatë Ministri i Brendshëm shton se do të ketë ndryshim të drejtuesve të lartë të policisë në qarqe që do të shtrihet më pas edhe në çdo komisariat.
Çuçi: Përsëris, kjo nuk do të thotë aspak se Policia e Shtetit nuk ka dobësi e të meta dhe pikërisht pse jemi të vetëdijshëm për këtë, po përgatitemi për një fazë të re të reformës dhe të forcës parandaluese dhe goditëse të Policisë së Shtetit.
Brenda kësaj jave, do të nisë një ndryshim i thellë me titullarët e strukturave të policisë së shtetit në nivel qarku, që do të shtrihet hap pas hapi në nivel kapilar në çdo komisariat të territorit të Republikës së Shqipërisë.
