Lushnje/ Rrëzohet nga kati i tretë, humb jetën vëllai i Saimir Taullaut

Një 58 vjeçar humbi jetën pasi u rrëzua nga kati i tretë i banesës ku banonte. Ngjarja u shënua rreth orës 10:35 minuta në lagjen “Loni Dhamo” Lushnje.

Gazetarët informojnë se viktima është Albert Taullau, vëllai i Saimir Taullaut. 

Saimir Taullau, i njohur në Shqipëri si rivali i fortë i Aldo Bares, kreut të Bandës së Lushnjes, është ekstraduar drejt Zvicrës më 30 dhjetor të vitit 2020 dhe po vuan dënimin me 4 vite në një burg të Zvicrës.

Ndaj Saimir Taullaut janë bërë dy atentate, një në tetor të vitit 2017 dhe tjetri në nëntor të 2018, ku e qëlluan me armë pranë biznesit së tij në Lushnje dhe për pasojë mbeti i plagosur në kokë. Ndërsa në vitin 2005 u vra vëllia i tij, Baki Taullau.

“Sot rreth orës 10:35, në lagjen “Loni Dhamo”, Lushnjë, shtetasi A. T., 58 vjeç, dyshohet se ka rënë nga kati i tretë i banesës ku banonte dhe ka ndërruar jetë. Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor dhe po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes” njofton policia.