Likmeta: Shumë tendera pa garë, të lënë të dyshosh për lidhje me funksionarët publikë

Në një intervistë për Ora News me gazetaren Matilda Mcini, gazetari Besar Likmeta u shpreh se ka një mungesë konkurrencë nga operatorët që marrin pjesë në prokurimet publike.

Ai tha se ka shumë tendera që merr pjesë vetëm një operator ose kur marrin shumë operatorë, skualifikohen për shkak të kritereve.

Likmeta: Ekziston një problem në vendin tonë që është shfaqur gjatë tranzicionit ekonomik për tenderat. Ajo që shohim në përgjithësi është se ka një mungesë konkurrencë nga operatorët që marrin pjesë. Një gjë e tillë ndodh kur nuk ka besim te operatorët që marrin pjesë, sepse mendohet se ofertat e tyre nuk do të vlerësohen. Kemi pasur raste kur këto tendera dhe prokurime janë hetuar, por nuk kemi pasur rezultatet të rëndësishme. Hetimet kanë qenë gjysmake ose janë fokusuar në drejtues të vegjël institucionesh.

Sipas Raporteve të KLSH-së ne kemi parë që flitet për milionë euro në proceset e tenderimit. Ka shumë tendera që merr pjesë vetëm një operator ose kur marrin shumë operatorë, skualifikohen për shkak të kritereve. Ka raste edhe kur kriteret behën në atë formë që të t'i përmbushë vetëm një operator. Kur një sistem prokurimi publik ka një nivel korrupsioni të lartë, operatorët në vend humbasin besimin e tyre te procesi. Të vetmit që aplikojnë pastaj, janë ato që dyshohet se kanë lidhje me funksionarin publik. Një gjë e tillë sjell shumë kosto për taksapaguesit shqiptarë.

Likmeta shtoi se në shumë tenderime publike kur ka pak konkurrencë, shumica e ofertave janë shumë pranë fondit limit.

Likmeta: Ne kemi vënë re që kur ka pak konkurrencë, shumica e ofertave janë shumë pranë fondit limit. Një gjë të tillë e shohim edhe në rastin e mbetjeve urbane në Durrës. Këshilli bashkiak ka vendosur që të miratojë një skenar që i është ofruar nga Agjencia e Menaxhimit të Mbetjeve,  për t'i dërguar mbetjet në Sharrë ku po ndërtohet një incenerator. Në vitin 2011 Durrësit ka bërë një plan sa i takon menaxhimit të mbetjeve me një kosto deri në 5 milionë euro. Bashkia e Durrësit ndër vite i ka kërkuar që ky investim të financohet nga qeveria, por vetëm pas shfaqjes së kompanive koncesionare, i është drejtuar bashkisë së Durrësit që të menaxhohen nga këto kompani, por me një kosto 10 herë më të lartë.