Rritet përfshirja e punonjësve të policisë në vepra penale, 31 efektivë të proceduar në 6 muaj

Implikimi i punonjësve të policisë në kryerjen e veprave të ndryshme penale duket një fenomen në përhapje pasi nga fillimi i këtij viti deri tani numërohen 31 oficerë të arrestuar ose të proceduar për kryerjen e veprave penale. Së fundi një efektiv policie u arrestua për dhunë në familje në Lezhë ndërsa efektivi i drejtorisë së Policisë së Tiranës, Klodian Çaushi, është arrestuar me dyshimet për vjedhjen e një shumë të konsiderueshe parash duke shfrytëzuar detyrën.

Më shumë se 31 efektivë policie janë proceduar dhe arrestuar në 6 muajt e fundit për shkelje të ligjit dhe kryerje të veprave penale të lidhura me detyrën.

Një punonjësi i patrullës së përgjithshme në Lezhë, me iniciale N.Gj, 53 vjeç, i arrestuar për dhunë në familje, është rasti më i fundit.

Para tij nënkomisari Klodian Caushi me detyrë pranë njesisë së posaçme operacionale Enfast në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë është pezulluar nga detyra tri ditë më parë.

Kjo masë u ndërmor ndaj tij pas një hetimi disa mujor ndaj tij, për shkak se specialisti i Sektorit të Trafiqeve në Drejtorinë e Policisë Tiranë në vitin 2016 ka keqpërdorur atributet dhe kompetencat me qëllim përvetësimin për shpenzime personale të një shume të konsiderueshme parash, me vlerë 5.5 milion lekë. Efektivi dyshohet për veprën penale “Vjedhje, duke shpërdoruar detyrën”.

Nga fillimi i muajit janar dhe deri më tani të arrestuar dhe të proceduar nga SHÇBA 31 efektivë të policisë.

Kryesisht ata janë arrestuar ose proceduar pas hetimeve disa mujore të ndjekura nga kjo strukturë, bazuar në denoncimin e qytetarëve ose institucioneve por edhe me hetime të nisura kryesisht.

Për efektivët e implikuar në vepra penale gjykata në shumicën e rasteve ka dhënë masat shtrënguese të arrestit me burg.

I tillë është edhe rasti i ndodhur pak ditëve më parë ndaj efektivit të Shqiponjave, Lavdosh Metaj, i cili ra në pranga pasi gjatë hetimeve rezultoi se kishte krijuar një rrjet për shpërndarjen e lendëve narkotike në Sarandë.

Edhe pse ai u justifikua me pretendimin se lëndën narkotike e kishte për përdorim vetjak, gjykata nuk u bind duke e lënë në burg.

Burime nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat bëjnë më dije se edhe disa efektivë të tjerë në drejtori dhe komisariate janë në nën hetim pasi ka dyshime se kanë kryer vepra penale duke shfrytëzuar funksionin.