“Ndaloni së shtiruri, çoni përpara Reformën në Drejtësi”,Kim: Nëse s’tregoni guxim, koston do e paguajë brezi i ardhshëm
Ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim dha mesazhe të forta për institucionet e reja të drejtësisë për avancimin e mëtejshëm të reformës. Nga tryeza e organizuar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit, ku u paraqiten monitorimet e punës së dy këshillave të gjyqësorit dhe prokurorisë, diplomatja amerikane tha se reforma duhet të jetë reale dhe se aktorët e angazhuar duhet të ndalojnë së shtiruri
"Le të ndalojmë së shtiruri dhe të çojmë reformën përpara. E kuptoj që puna e gjyqtarëve nuk është e lehtë, por është e rëndësishme. Nuk mund t’ia lejojmë vetes të mos kemi sukses në këtë reformë. Së pari,KLGJ duhet të plotësojë detyrën e tij për të pasur një SPAK me gjyqtarë që kanë kaluar Vettingun," tha Kim.
Kim iu drejtua prokurorëve dhe gjyqtarëve duke iu thënë se roli i tyre në këtë moment për Shqipërinë është kritik dhe se është e kuptueshme edhe presioni që mund të kenë.
"Ka shumë gjyqtarë e prokurorë që janë larguar nga detyra dhe kjo është një gjë e mirë. Nëse jemi serioz për kapjen e momentit në të cilin është Shqipëria, për të pasur një Shqipëri më të mirë dhe më të denjë si anëtare e BE, më të sigurt dhe po aq të begatë sa çdo anëtar tjetër i BE, reforma në drejtësi duhet të vazhdojë," vazhdoi Kim.
Drejtuesja e Komitetit Shqiptar të Helsinkit Erida Skendaj u rekomandon KLGJ dhe KLP-së të ndjekin të njëjtin standard për ngritjen ne detyre të magjistratëve dhe të realizojnë mbledhje te përbashkëta. Këshillat duhet të jenë më të pranishëm në gjykata dhe prokuroi për të inkurajuar magjistratët të që të aplikojnë për vendet vakante ne GJKKO dhe në Apel pasi janë këto gjykata që kanë në dore fatin e dosjeve te korrupsionit.
"Ky është momenti, ju keni rol tejet kritik të luajtur.
Fëmijët, brezi i ardhshëm, i kanë sytë tek ju.
Dua ta theksoj se askush nuk mendon që është gjë e lehtë. Askush nuk mendon se kjo nuk kushton asgjë. E di që ka një kosto vetjake dhe kosto profesionale, por është një kosto që ja vlen, sepse është në të mirë të shtetit shqiptar.
Nëse ju nuk jeni të guximshëm të paguani kostot,nuk e kam fjalën për të tërë ju, por për të tërë ne. Nëse ne nuk i paguajmë kostot, do t’i paguajnë brezat e ardhshëm. Dhe kjo nuk është gjëja e duhur për tu bërë në këtë shtet," përfundoi Kim.
