Ne kemi pluralizëm, bëjmë zgjedhje e kemi liri të shprehjes por janë me probleme
U largua nga politika në 2017 por ka qenë prezente me zërin e saj nëpër studio televizive dhe këtë herë vjen dhe me një libër “Politika si ide”
E ftuar në studion e “Ditë e Re” paraditen e sotme në RTV Ora Valentina Leskaj tha se vendosja e kuotës 30% në politikë, është gjëja më e mirë që është bërë në Shqipëri por ko nuk duhet të jetë e përhershme.
"Kuota është bërë në vitin 2008, kur gratë që ishim në politikë luftuam të realizonim kuotën. Ishte gjëja më e mirë që u bë në kushtet e Shqipërisë. Unë kuotën e shoh si një masë të përkohshme, jo të përhershme. Në atë kohë ne ishim vetëm 6.7% në parlament.
Padyshim roli i gruas në politikë nuk ka të bëjë me numrat. Për mua thelbi është që gratë të jenë atje ku e meritojnë, kyçi është fuqizimi i grave. Fuqizimi është shumëdimensional.
Në politikë gratë që të jenë të vërteta dhe që të luajnë rolin që duhet bërë në politikë, duhet të vijnë me procesin që ka të bëjë me fuqizimin e grave."
Kuota?
Leskaj beson jo në barazinë si apriori por në mundësitë e barabarta.
"Kuota për gratë në politikë, nuk është kuotë për gratë është kuotë gjinore. Është njësoj, si për gra, si për burra, nëse nesër kemi 60 apo 70% gra, absolutisht duhet luftuar për burrat, sepse është diskriminim gjinor. Të dyja gjinitë duhet të kenë mundësi të barabarta për tu fuqizuar, arsimuar, paguar, për shërbime sociale", thotë Leskaj për moderatorët Arjon Muça dhe Arjola Shehu.
Demokracia?
Këtu Leskaj ka skepticizmin e vet.
“Jemi një vend me defiçite për sa i takon demokracisë funksionale. Ne kemi pluralizëm politikë, mediatik, bëjmë zgjedhje, kemi lirin e shprehjes, por janë me probleme. Jemi ende në diskursin e demokracisë funksionale."
Valentina Leska ka nxjerrë së fundmi librin "Politika si Ide".