Nën efektin e lëndëve narkotike, i riu me probleme psikike dhunon stafin e spitalit Shkodër
Dy mjekë të Spitalit Psikiatrik të Shkodrës ranë pre e dhunës nga një i ri që u paraqit aty për të kërkuar ndihmë mjekësore.
Gjurmët e gjakut dhe objektet e thyera janë dëshmia e asaj që ka ndodhur në këto mjedise.
Siç tregojnë mjekët, pacienti i panjohur për ta, dyshohet se ishte edhe nën efektin e narkotikëve, reagoi dhunshëm ndaj trajtimit dhe goditi mjekët.
"Me gjithë terapinë e zhvilluar nga mjeku që ka qenë në shërbim të rojës gjithashtu edhe nga përpjekjet e stafit reagimi ka qenë tepër i dhunshëm duke cenuar 2 nga stafi njëri prej ët cilëve përfundoi në urgjencë," tha Eridana Rusi, mjeke psikiatre.
Nga sjellja e dhunshme, i lënduar ka mbetur edhe vetë i riu, i cili pas ndihmës së parë është sjellë për trajtim në Tiranë.
"Edhe ai në momentin që ka goditur objektet ka pësuar dëmtime," tha mjekja.
Vështirësia dhe rreziku është I njohur për mjekët që punojnë me paciente që kanë probleme me shëndetin mendor.
Por Mjekia psikiatre Eridana Rusi ngre alarmin se ata nuk kanë as mjete të posaçme dhe as dhoma e izolimit, që do të shërbenin për të shmangur të tilla situata.
"Në spital aktualisht na mungojnë mjetet imobilizuese që janë mjetet fiksuese si dhoma e izolimit që përdoret në raste të tilla," tha Rusi.
Decentralizimi i spitaleve psikiatrike ka bërë që shërbimi të kthehet me dyer të hapura, çka i jep mundësi pacientëve të lëviz lirisht në mjediset e spitalit.
Madje gjatë paradites Spitali, ku mund të paraqiten paciente me probleme të shëndetit mendor nga më të ndryshmet, prej një viti nuk ka as roje sigurie.
Pacienti lëviz i lirë, mundet edhe të largohet nga spitali se nuk kemi mënyrë ta mbrojmë. Edhe shërbim ët rojës kemi vetëm në turnin e dytë dhe të tretë," shtoi Rusi.
Kjo sipas mjekeve po vë në rrezik jo vetëm jetën e bluzave të bardha, por edhe të sëmurëve të tjerë apo të familjarëve të tyre.
