Yuri Kim: Reforma në drejtësi nuk ndalet as kur është e vështirë apo e dhimbshme. Esenciale monitorimi i institucioneve

Ambasadorja amerikane Yuri Kim nënvizoi edhe një herë nevojën për kurajo për ta bërë reformën në drejtësi reale dhe rolin e monitorimit të institucioneve të drejtësisë.

“Reforma në drejtësi nuk është një përpjekje që duhet të ceket vetëm prej jush. Vazhdimisht kam theksuar rolin e shoqërisë civile në forcimin e demokracisë për të ecur përpara. SHBA është e angazhuar që reforma në drejtësi të ecë përpara.

Monitorimi i performancës së institucioneve të drejtësisë është esencial. Nuk duhet të druhemi të shikojmë se ku jemi dhe duhet të jemi të sinqershëm për çfarë duhet bërë më mirë. Duhet të jemi të guximshëm për të parë çfarë mund të bëjmë më mire”
tha ambasadorja e SHBA-së Yuri Kim në aktivitetin e organizuar paraditen e sotme në Tiranë ku Komiteti Shqiptar i Helsinkit prezantoi raportin për monitorimin e institucioneve të drejtësisë.

Më tej ambasadorja Yuri Kim nënvizoi se SHBA është e vendosur për të vijuar reformën në drejtësi dhe kjo nuk duhet të ndalet edhe kur përballet me hapa të dhimbshëm apo nganjëherë të vështirë.

 “Siç e kam thënë dhe më përpara reforma në drejtësi nuk është e lehtë nuk do të jetë e shpejtë dhe nuk ka për të qenë e përkryer, por ne do të ecim përpara dhe po ecim përpara dhe po e shikojmë hap pas hapi. Nganjëherë këto hapa janë të dhimbshëm, nganjëherë të vështirë, nganjëherë të bllokuar por na duhet të ecim përpara."