Pas sherrit tentoi të vrasë me armë zjarri bashkëfshatarin, arrestohet 30-vjeçari në Maliq
Një 30 vjeçar është arrestuar nga policia e Maliqit pasi ka tentuar të vrasë me armë zjarri një shtetas, gjatë një konflikti për motive të dobëta.
Mbrëmjen e djeshme, 22 qershor rreth orës 22:30, Juxhin Qesaraka në fshatin Pendavinj, Maliq gjatë një konflikti për motive të dobëta, me shtetasin B. D., 29 vjeç (i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje), të dy banues në fshatin Pendavinj, kishte qëlluar me armë zjarri tip automatik në drejtim të tij, pa i shkaktuar lëndime, njofton policia.
Nga veprimet e mëtejshme dhe kontrolli i ushtruar në banesën e shtetasit Juxhin Qesaraka u gjetën e sekuestruan në cilësinë e provës materiale krehër automatiku dhe pushke, pjesë të tjera përbërëse të armëve të zjarrit dhe municion luftarak.
Materialet në ngarkim të tij i kaluan Prokurorisë Korçë për veprat penale "Vrasja me dashje", e mbetur në tentativë dhe "Armëmbajtja pa leje".

