"Nuk duam mëshirë duam dinjitet" Personat me aftësi të kufizuar ngrenë zërin: Problemi nuk jemi ne, problemi janë ata që janë në rregull

Personat  me aftësi të kufizuara në Shqipëri janë pjesë e konsiderueshme e  popullsisë sonë.  Por a ekzistojnë kushtet  e duhura për këta persona, sa të lehtë e kanë të lëvizin nëpër rrugët e qytetit?

Ndrek Ismaili, invalid pune thotë, për emisionin Ditë e Re në Rtv Ora me moderatorë Arjon Muça dhe Arjola Shehu, se  në vendin tonë nuk ka kushte për personat me aftësi të kufizuara dhe se problemi është se qyteti, rrugët, ndërtesat janë ndërtuar pa marrë  në konsideratë invalidët.

"Unë kur flas për personat me aftësi të kufizuara them se jo, nuk jemi ne problemi.Problemi janë personat që janë në rregull. Kur e ka krijuar natyrën Zoti, e ka krijuar të barabartë për të gjithë. Nuk jemi ne problemi. Problemi janë ata që kanë ndërtuar pa na përfshirë ne në plan.

Problemi kryesor i joni, është momenti që nga dalja nga shtëpia deri në kthim. Kudo ka problem, në të gjitha aspektet, që nga rrugët, trotuaret dhe te transporti.  Nuk i bëjnë trotuaret me pjerrtësinë e duhur. Unë jam bërë si delja e zezë që eci mes makinave."

Ndreka mes emocionesh pohon se shoqëria jonë nuk është solidare dhe se i  shikojnë personat me aftësi të kufizuara me keqardhje.

"Populli nuk është  solidar. Solidariteti i pështirur, është solidaritet me keqardhje. Nuk është solidaritet, është mëshirë. Solidariteti është zbatim legjislacioni, zbatim të drejtave të njeriut.

Nuk është solidaritet të dalësh në trotuar dhe të ndihmosh një person me aftësi të kufizuara, të cilit i ke zënë me makinë rrugën. Solidariteti është respektim i legjislacioinit dhe rregullave. Si popull na vjen keq, qajmë kur shohim një person me vështirësi në televizion, por kur vjen puna për ta ndihmuar, nuk bëjmë asgjë."

Abdulla Omuri, presidenti i Invalidëve të Punës në Shqipëri thotë se sot ka moszbatim të legjislacionit dhe rregullave."