Po transportonin 5 sirianë drejt vendeve të BE-së, arrestohen dy durrsakët në Fier

Policia e Fierit ka finalizuar operacionin policor të koduar "Taksisti", për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.

Në kuadër të këtij operacioni, në prangat e policisë kanë rënë shtetasit Besnik Krasniqi dhe Roland Jaho, të cilët u kapën duke transportuar 5 emigrantë të paligjshëm.

Sipas njoftimit të policisë Besnik Krasniqi, 53 vjeç banues në Durrës dhe Roland Jaho 53 vjeç, banues në Durrës anë kapur në kushtet e flagrancës nga shërbimet e Policisë Rrugore, në vendin e quajtur "Rotondo e Kolonjës", duke transportuar me automjetin tip "Benz", 5 emigrantë të paligjshëm (sirianë), të cilëve iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së, kundrejt pagesës.

Materialet i kaluan Prokurorisë Fier, për veprime të mëtejshme procedurale, për veprën penale "Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve" kryer në bashkëpunim.