Turistëve kanadezë u ngel makina në baltën e një përroi, u vjen në ndihmë policia

Policia e Beratit u ka ardhur në ndihmë të dy turistëve kanadezë të cilët kishin ngelur në baltë me makinën e tyre.

Turistët kanë telefonuar policinë pasi nuk e dinin se ku kishin ngelur dhe se terreni ka qenë shumë i vështirë, në një përrua.

Turistëve u është dhënë ndihmë duke u nxjerrë mjetin nga vendi ku kishin ngelur dhe më pas i kanë shoqëruar deri në rrugën kryesore.

''Rreth orës 13:50, në Komisariatin e Policisë Skrapar ka mbërritur një telefonatë nga dy turistë kanadezë, të cilët kërkonin ndihmën e Policisë, pasi për shkak të terrenit të vështirë mjeti i tyre kishte ngelur në baltë në një përrua dhe ata nuk dinin vendin ku kishin ngelur. Shërbimet e Policisë menjëherë pasi morën njoftimin, nisën kërkimet për turistët dhe pas disa orësh bënë të mundur gjetjen e tyre. Punonjësit e Policisë iu kanë dhënë ndihmë turistëve, duke u nxjerrë mjetin nga vendi ku kishin ngelur dhe më pas i kanë shoqëruar deri në rrugën kryesore.'' - njofton policia.

Turistët janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe kanë falënderuar Policinë për ndihmën e dhënë.