Ministria e Shëndetësisë: Nis vaksinimi kundër COVID-19 i personave të dënuar
Vaksinohen të burgosurit me sëmundje kronike dhe ata mbi 55 vjeç
Procesi i vaksinimit është shtrirë edhe në institucionet e vuajtjes së dënimit.
Në Tiranë, në burgun “Jordan Misja” dhe “Ali Demi” janë vaksinuar të parët personat që vuajnë nga sëmundjet kronike dhe ata që janë mbi 55-vjeç.
Të shtunën Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ftoi të gjithë ata që janë mbi 57 vjeç apo i përkasin grupeve të riskut të paraqiten pranë qendrave përkatëse për të kryer këtë proces të rëndësishëm.
Ajo bëri me dije se në çdo qendër shëndetësore verore në zonat turistike bregdetare dhe malore do të ofrohet shërbimi 24 orë për çdo urgjencë mjekësore si dhe testi i shpejtë falas, për çdo rast të dyshuar si i prekur nga Covid19.
Autoritetet Shëndetësore njoftuan se të shtunën nuk u regjistrua asnjë humbje jete, ndërsa nga kryerja e 2 mijë e 700 testimeve u zbuluan pozitiv vetëm 4 persona, konkretisht 2 në Tiranë, 1 në Durrës dhe 1 në Vaun e Dejës.
Nën kujdesin e mjekëve ndodhen vetëm 7 pacientë nga të cilët 3 në terapi intensive.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në të gjithë vendin janë aktiv vetëm 124 pacientë.
