Prokurori i Sarandës, arbitri ...e të tjerë arrestohen për korrupsion e paracaktim të rezultatit në gara sportive
Është arrestuar në Sarandë, prokurori i këtij qyteti, Sali Hasa. Ndalimi është bërë me urdhër të prokurorisë së Posaçme SPAK, e cila kishte disa muaj që kryente hetime.
Ndaj tij rëndon akuza korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, parashikuar nga neni 319/ç i Kodit Penal.
Në kuadër të këtij operacioni janë arrestuar 6 persona mes tyre: Prokurori i Sarandës - Sali Hasa; oficeri i Policisë Gjyqësore në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë - Napolon Hodaj; Arbitri i ndeshjeve të futbollit - Qerim Ruçi; një zyrtar i klubit sportiv SHS “Përmeti” -Bledar Hajredini, si dhe dy "sekserë" Julian Zera, Emiljano Mirani.
Ndërkohë Elsona Papa po hetohet në masë arresti shtëpie ndërsa Hysen Korenica ish ekspert mjeko – ligjor po hetohet nën masën e sigurimit personal me karakter shtrëngues “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”
Policia e Shtetit ka ekzekutuar më 19 qershor 2021 masat e sigurimit të caktuara nga Gjykata me vendimin nr.40 datë 17 qershor 021. Gjithashtu në zbatim të vendimit nr.202 datë 17.06.2021 Policia Gjyqësore Pranë Policisë së Shtetit ka ushtruar kontrolle në disa banesa dhe zyra të subjekteve të hetuar dhe të tjerë.
Indicia
I gjithë hetimi ka nisur në vitin 2020, pas përgjimeve të dala nga një tjetër dosje që ishte në hetim në atë kohë ndaj një grupi dyshuar për trafik droge dhe korrupsion tek zyrtarët e drejtësisë. Gjatë hetimeve u zbulua dhe vepra penale e “paracaktimit të rezultateve në garat sportive”, informon SPAK.
Të arrestuarit
Me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr.40 datë 17.06.2021 ka caktuar masat e sigurimit arrest në burg për shtetasit:
1- Sali Hasa, prokuror në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, parashikuar nga neni 319/ç i Kodit Penal.
2- Napolon Hodaj, Oficeri i Policisë Gjyqësore në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Sarandë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1 paragrafi i dytë i Kodit Penal.
3- Qerim Ruçi, arbitër i ndeshjeve të futbollit, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Paracaktimi i rezultateve në garat sportive”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 197/a/2 dhe 25 të Kodit Penal.
4- Bledar Hajredini, zyrtar i klubit sportiv SHS “Përmeti”, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Paracaktimi i rezultateve në garat sportive”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 197/a/2 dhe 25 të Kodit Penal.
5 - Julian Zera, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 245/1/1 - 25 i Kodit Penal.
6 - Emiljano Mirani, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 245/1 - 25 i Kodit Penal.
Hetim ne liri
7 - Elsona Papa Me vendimin nr.40 datë 17.06.2021 Gjykata ka caktuar masën e sigurimit “arrest në shtëpi”, për të hetuarën Elsona Papa, e dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 245/1/1 - 25 i Kodit Penal.
8- Hysen Korenica (ish ekspert mjeko – ligjor), Gjykata ka caktuar masën e sigurimit personal me karakter shtrëngues “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Ekspertim i rremë”, parashikuar nga neni 309 i Kodit Penal.
Gjyqtarja e Krujes
Mësohet se bëhet fjalë pikërisht për dosjen ndaj gjyqtares së Krujës Enkeleda Hoxha, ndërsa përgjimet e kryera nxorën në pah fakte lidhur me prokurorin e Sarandës Sali Hasa, dhe oficerin e kësaj prokurorie Napolon Hodaj.
Për këtë arësye prokuroria veçoi materialet dhe hapi një dosje të re duke dokumentuar implikimin e prokurorit dhe oficerit në marrjen e rryshfetit kundrejt pushimit të një çështje për një shtetas të arrestuar për plagosje. Përgjimi i prokurorit Sali Hasa dhe oficerit Napolon Hodaj ka nxjerrë në pah edhe episode e trukimit të ndeshjes së kategorisë së dytë Selenica-Përmeti, e zhvilluar në ora 14.00 të datës 1 mars 2020.
Pas provave të mbledhura, SPAK ka urdhëruar arrestimin e arbitrit të ndeshjes Qerim Ruçi, dhe Bledar Hajredinit, zyrtar i klubit sportiv SHS “Përmeti”, i dyshuar për “Paracaktimi i rezultateve në garat sportive”. Në pranga kanë rënë edhe shtetasit Julian Zera, dhe Emiljano Mirani, të dyshuar si sekserë.
Pse e skualifikoi KLP
Prokurori i arrestuar Sali Hasa kishte kandiduar për tu emëruar titullar i institucionit lokal të akuzës por KLP e skualifikoi për mosplotësim të kritereve. Me urdhër të SPAK, zyra e tij në prokurorinë e Sarandës është kontrolluar ndërkohë që kompjuteri i tij i punës dhe dokumente të tjera janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale.
Hetimet
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po kryente hetime ndaj një grupi kriminal.
Procedimi penal nr.102/2 i vitit 2020, ishte regjistruar për veprat penale të “Trafikimit të narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal”, “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” etj, parashikuar nga nene 245/1, 319/ç, 28/4, 283/a, 333/a, 334 etj, të Kodit Penal.
SPAK nënvizon se hetimi i këtij procedimi penal u bë i mundur falë bashkëpunimit shumë efektiv me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
“ Në funksion të hetimeve të këtij procedimi penal janë përdorur mjete dhe metoda speciale hetimi të kombinuara këto me mjetet apo metodat tradicionale të hetimit" thuhet në njoftimin e SPAK.