Numërohen pakot e sekuestruara në port/ Në furgonin e malllrave u sekuestruan 86 mijë paund, vinte nga Italia
Një sasi prej 86 740 paund u sekuestruan pasditen e së premtes, 18 qershor 2021, në Portin e Durrësit. Shuma monetare është gjetur e fshehur brenda një televizori e ndara në 16 pako.
Në prangat e policisë ka rënë 21 vjeçari Enes Haxhiu, banues në Kamëz. Ai ishte shoferi i furgonit që mbërriti në Durrës nga Itali brenda së cilit gjendej televizori ku ishin fshehur paratë.
Policia tha se shuma monetare është gjetur në vijën e dytë të kontrollit, pasi mjeti i është nënshtruar një kontrolli të imtësishëm.
Ndaj 21 vjeçarit do të rëndojnë akuzat për veprat penale "Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë" dhe "Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale"
Mosdeklarimi i të hollave në kufi është kthyer në një fenomen në portin e durrësit pasi pak javë më parë aty u kapen 123 mijë paund në furgon mallrash që ishte nisur nga Londra, dhe kishte hyrë në vendin tonë përmes Italisë.
Drejtuesi i mjetit Olsi Sefolli, vijon të mbetet nën masën e sigurisë “arrest me burg” ndërsa prokuroria ende po vijon hetimet për rastin në fjalë.
Njoftimi i policisë
Shërbimet e Polcisë Kufitare në bashkëpunim me seksionin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Durrës dhe autoritet doganore, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kanë intensifikuar kontrrollet si në dalje, ashtu dhe në hyrje, në Portin e Durrësit.
Si rezultat i kontrolleve të shtuara, bazuar në analizën e riskut të bërë nga ana e shërbimeve të Policisë, në hyrje, është kaluar në vijën e dytë, për kontrroll të imtësishëm, një furgon mallërash që vinte nga Italia, me drejtues shtetasin E. H.
Gjatë kontrollit të kryer në furgon, në një televizor, u konstatuan 16 pako me para, paund, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në vijim të veprimeve të kryera nga grupi hetimor, rezultoi se në pakot e sekuestruara në cilësinë e provës materiale kishte 86.740 paund.
Në përfundim të veprimeve u arrestua në flagrancë për veprat penale "Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë" dhe "Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale", shtetasi E. H., 21 vjeç, banues në Kamëz, Tiranë.
Ndërkohë nga strukturat hetimore të DVP Durrës, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë implikuar në këtë vepër penale.
