Mbyllet procesi i votimi për kryetarin e PD, rezultati për fituesin nesër

Pas 11 orësh, është mbyllur procesi i votimit për zgjedhjet për kryetarin e Partisë Demokratike.

Burime për Ora News, bëjnë me dije se procesi i votimit është mbyllur edhe në qarkun e Durrësit por edhe në Berat.

Mësohet se në Durrës nga 2970 persona që ishin regjistruar kanë marrë pjesë vetëm 1700 votues.

75 mijë anëtarë demokratë ishin thirrur për të votuar në 76 qendra votimi, por deri më tani nuk dihet se sa ka qenë pjesëmarrja.

Votimi ka nisur në orën 08:00, ndërkohë kandidatë në garë për kreun e PD janë: Edit Harxhi, Fatbardh Kadilli, Lulzim Basha dhe Agron Shehaj.

Pak më parë, Kryetari i Komisionit Zgjedhor të Partisë Demokratike, Jemin Gjana, bëri me dije se rezultati i zgjedhjeve do të shpallet në orët e para të mëngjesit të ditës së nesërme.

PD shkoi në zgjedhje për kreun e ri pas humbjes në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, ku PS e kryesuar nga Edi Rama siguroi mandatin e tretë qeverisës me 74 mandate.