"Garë e pabarabartë", Nishani: Situata në PD e rëndë, duhet ndryshuar

Zoti Nishani pasi hodhi votën e tij për kryetarin e ri të PD-së, në deklaratën më media u shpreh se gara ka qenë e pabarabartë pasi kandidatët e tjerë përballë kreu aktual nuk kanë pasur asnjë mundësi reale nga pikëpamja organizative.

Nishani: "Ka pasur shumë sakrifica që nga dita e themelimit dhe deri sot. Gabojnë rëndë ata që mendojnë se mund ta marrin peng PD dhe ta bëjnë një forcë pa energji, falso.

Nuk ka pasur një garë të barabartë dhe të ndershme. Kandidatët e tjerë përballë kryetarit aktual nuk kanë pasur asnjë mundësi reale nga pikë[pamja organizative. Për fatin e keq disa përfaqësues në degët e PD-së, kanë refuzuar të zbatojnë vendimet e kryesisë. Sot në Devoll nga 2000 anëtarë që ishte lista vetëm pak muaj më parë, sot lista ka përfunduar me 900 anëtarë.

Kryetari në detyrë ka një frikë nga mungesa e mbështetjes reale. Përpiqet që së pari të reduktojë numrin e anëtarësisë duku u mbështetur te një grupim i caktuar njerëzish që vijnë dhe votojnë symbylluri. Votojnë symbyllur duke mos e ditur që PD-ja sot është në rrezik të madh. PD ka një sfidë më të madhe, sfidën për ekzistencë. Nëse PD nuk do arrijë të kthehet në partinë e 1 milion shqiptarëve, regjimi i Ramës do vazhdojë për shumë kohë."

I pyetur për deklaratën e zotit Berisha se nuk e përjashton mundësinë e rikthimit në krye të PD-së, zoti Nishani tha se ky është një mesazh i qartë që tregon se situata në PD është e rëndë dhe duhet ndryshuar.

"Për mua një mesazh shumë i qartë, një mesazh shumë i qartë. I thotë anëtarësisë që situata është shumë e rëndë dhe duhet ndryshuar. "