U gjet i mbytur në një rezervuar në Korçë, viktima 25-vjeç dyshohet se është goditur me mjet të fortë

Një person është gjetur i mbytur paraditen e sotme, 13 qershor në rezervuarin e e Gjançit, në Korçë.

Policia ka bërë të mundur identifikimin e tij, i cili është shtetasi Fridman Xhaferraj 25 vjeç, banues në fshatin Plug, Lushnjë.

Sipas informacionit të policisë, 25-vjeçari ka qenë më parë i dënuar për veprën penale "Shkatërrimi i pronës me zjarr", kryer në bashkëpunim.

Në 19 shkurt të 2021 viktima ka djegur 3 makina pranë një qendre tregtare.

Në vitin 2021 Gjykata e Lushnjës kishte caktuar për këtë shtetas ndryshimin e masës së sigurisë, nga "Arrest në burg" në "Arrest në shtëpi".

Dyshimet e para janë se mund të jetë goditur me mjet të fortë.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë, në bashkëpunim edhe me Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.