Gara për kreun e PD, Harxhi: Procesi ka pasur parregullsi, është fotografuar vota


Kandidatja për kryetare e Partisë Demokratike, Edith Harxhi në një deklaratë për medien tha se janë konstatuar probleme gjatë procesit të votimit ditën e sotme, 13 qershor.

Një problem shqetësuese, sipas zonjës Harxhi është dhe fotografimi i fletëve të votimit.

Pavarësisht problemeve, tha Harxhi, i bëj thirrje të gjithë demokratëve që të dalin dhe të votojnë masivisht.

Harxhi: "I bëj thirrje demokratëve qe nuk kanë votuar ende, të dalin dhe të votojnë masivisht. Ka pasur parregullsi të shumta në procesin e votimit në disa zona. Gjatë procesit të votimit dhe monitorimit ka pasur me mijëra anëtarë të PDSH që nuk kanë qenë në lista.

Është vënë re një proces i fotografimit të fletës së votimit. Është një proces shumë shqetësues. Ka pasur konflikte mes vëzhguesve tanë siç është Kavaja. Raportohet edhe nga Bulqiza që ka filluar zënka mes vëzhguesve dhe anëtarëve të komisionit.

Ka pasur raste kur ka pasur votim nga një person me disa karta anëtarësie, pra nga një familjar. Ky proces ka probleme të mëdha por pavarësisht kësaj unë kërkoj që anëtarët të dalin dhe të votojnë masivisht. "