Trafik droge me uniformë, 3 punonjës policie të arrestuar në më pak së 30 ditë
Oficeri 35 vjeçar i policisë Lavdosh Metaj i cili ishte pjesë e repartit të forcave Shqiponjave në Sarandë , u arrestua të shtunën pasi prej kohësh kishte krijuar një rrjet të mirëfilltë të shpërndarjes së lëndëve narkotike.
Sipas burimeve nga SHÇBA efektivi kishte krijuar kontakte me persona frekuentues të rregullt të lokaleve të natës dhe nëpërmjet tyre shpërndante lëndë narkotike tek përdoruesit. Dyshohet se oficeri i Shqiponjave ka përdorur funksionin e tij si efektiv policie për të lëvizur me lëndë narkotike i pa shqetësuar nga kontrollet.
Pas arrestimit, në banesën e policit u gjet edhe një sasi prej 165 gram kokainë si dhe një peshore.
Por ky nuk është rasti i vetëm që kur punonjësit e policisë implikohen në krime lidhur me lëndën narkotike.
Pak javë më parë një hetim i nisur nga SHÇBA u finalizua me arrestimin e specialistit të antidrogës në drejtorinë e policisë në Durrës, Edvin Sinani.
Gjatë ushtrimit të detyrës, ky punonjës policie dyshohet se organizonte persona për të shpërndarë lëndë narkotike në vende të ndryshme të qytetit bregdetar, të cilët nga ana tjetër i jepnin informacione për shpërndarës të tjerë, me qëllim goditjen e tyre që të mos i bënin konkurrencë në tregun kriminal të lëndëve narkotike.
Ndërkohë Xhulio Lici efektivi i forcave RENEA u arrestua nga agjentët e anti drogës së drejtorisë së policisë së Tiranës pasi dyshohej se merrej me shitjen e lëndëve narkotike.
Ai po udhëtonte në makinë së bashku me shtetasin Ded Nimani në momentin që policia gjeti në bagazhin e kësaj makinë rreth 2 kg kokainë, gati për shitje.
Gjykata vendosi 35 ditë burg për efektivin e RENEAS, pavarësisht se i arrestuari tjetër Ded Nimani ka rrëfyer së polici special nuk ishte në dijeni të lëndës narkotike.
