Berisha: Rama, bllokuesi konstant i integrimit
Kryeministri Berisha ka akuzuar sërish kreun e PS-së Edi Rama si bllokues të procesit të integrimit të vendit në Bashkimin Europian. Duke folur në mbledhjen e qeverisë, Berisha iu referua dy ligjeve, atij të nënpunësit civil dhe të Gjykatës së Lartë të cilat janë shumë të rëndësishme për plotësimin e kritereve të integrimit."Dy ligje shumë të rëndësishme me të cilat njëri nga këto kërkesa plotësohet dhe ky është ligji i nënpunësit civil dhe administratës shtetërore. Ligji për Gjykatën e Lartë që është një nga kushtet është dërguar në parlament por është bllokuar nga bllokatori konstant i procesit të integrimit zoti Rama. Ai shkon në samitin e partive socialiste europiane si bllokator i procesit të intergrimit. Ai shkon në atë forum të nderuar duke qënë i regjistruar në librin e zi Europian dhe botëror të korrupsionit sepse bllokoi edhe imunitetin në datën 6 gusht” tha Berisha ndërsa shtoi se qeveria është e vendosur të bëjë gjithçka për plotësimin e kritereve për marrjen e statusit kandidat për në BE.Ndërkohë Berisha njoftoi miratimin e ligjit për shfrytëzimin e integruar të ujërave."Në këtë mbledhje miratojmë ndërtimin nga privatët të dy hidrocentraleve në Osum. Protencialet energjetike të Shqipërisë po rriten çdo ditë e më shumë. Nga marsi i vitit 2007, deri më sot janë ndërtuar rreth 72 hidrocentrale. Në sektorin privat METE ka firmosur mbi 117 kontrata për ndërtimin e 330 HEC-eve. Vetëm ato që janë ndërtuar apo në ndërtim kanë një kapacitet 1400 megawat kundrejt 1200 megawat që është kapaciteti aktual. Në një hark kohor 5 vjeçar janë ndërtuar kapacitetet energjitike, 20 përqind më shumë se ato që janë ndërtuar në kohërat më parë. Vitin një vjen nis Kaskada e Devollit me 1 miliard euro investim. Nisma Shqipëria e vogël energjitikee në rajon po bëhet çdo ditë e më shumë realitet” tha Berisha.Kryeministri Berisha deklaroi gjithashtu se qeveria do të vendosë edhe për kthimin e armëve të Skënderbeut nga Austria me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.“Shqiptarët mund ti vizitojnë dhe ti shohin nga afër armët e prijësit të tyre të përjetshëm. Skëndebeu është ikona e identitetit shqiptar, i krenarisë së shqiptarëve, i qëndresës së tyre. Këto vendime do të paraqesin masat e nevojshme për administrimin e tyre në muzeun tonë kombëtar” tha Berisha ndërsa shtoi se qeveria do të financojë edhe ndërtimin e varrezës mbretërore.