A do penalizohemi sërish? Rama: Shqipëria i ka bërë detyrat e shtëpisë, nuk kemi asnjë lloj shqetësimi

Pyetjes nëse Shqipëria do të penalizohet sërish në procesin e hapjes së negociatave,  për shkak të ngërçit mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë kryeministri Edi Rama iu përgjigj duke thënë se nga ana jonë nuk ka asnjë minutë të humbur në këtë proces dhe në lidhje me këtë duhet pritur vendimi i Këshillit të Europës. Sipas zotit Rama ne i kemi bërë detyrat e shtëpisë ashtu si duhet.

Rama: "Për sa më takon përgjigjja ime mbetet po ajo që ka qenë: e para detyrat tona t'i bëjmë plotësisht, nuk i bëjmë se na i kërkon Brukseli, Berlini, Parisi apo Haga por sepse na i kërkon detyrimi ndaj fëmijëve tanë dhe brezave të ardhshëm. Detyrat e shtëpisë së integrimit evropian janë rruga për të modernizuar shtetin tonë. Janë rruga për ta bërë Shqipërinë evropiane në sistemin e drejtësisë, të institucioneve, ët shërbimeve ndaj qytetarëve, në sistemin e përgjithshëm demokratik .

Për sa kohë ne, Komisioni Evropian, prej 3 vitesh na ka thënë që detyrat i  keni bërë si duhet dhe i ka kërkuar Këshillit të pranojë rezultatin e detyrave dhe të hapë më tutje fazën tjetër të procesit ne jemi të qetë. Këshilli evropian ka pasur arsyet e veta dhe kjo gjë nuk ka lidhje me ne. Ka një ngërç midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, dhe sigurisht që mënyra si funksionon i tërë sistemi i zgjerimit kërkon që ky ngërç të zgjidhet përpara se të vazhdojë procesi. Në këtë moment ne nuk kemi asnjë lloj shqetësimi apo arsye për të thënë që ne po sakrifikohemi. Ne jemi me BE-në dhe po vazhdojmë punën për përmirësimin e jetës së shqiptarëve. Ka një pyetje deri kur vazhdon kjo histori sepse kemi parë sa shumë u zgjat një tjetër histori. Kësaj pyetje nuk ia kërkojmë përgjigjen sot. Të presim mbledhjen e këshillit. Nuk ka asnjë minutë humbur nga ana jonë. Kjo ka rëndësi."

Olivér Várhelyi, Komisioneri Europian pyetjes nëse Shqipëria do të penalizohet për shkak të marrëdhënies  së Maqedonisë së Veriut me Bullgarinë iu përgjigj se ky është një muaj kritik dhe është muaji i vendimeve të mëdha.

Ai nuk dha një përgjigje konkrete nëse Shqipëria rrezikon mos të marrë një datë për konferencën e parë ndërqeveritare, ndërsa tha  se presidenca e BE-së është e angazhuar  dhe e përkushtuar për të gjetur zgjidhje.

Várhelyi: "Ashtu siç e thashë ky muaj është muaj kritik, është qershori i këtyre vendimeve, do duhen të merren këto vendime. Ne po punojmë fort dhe në këto momente prapa kuintave të themi sepse kjo është ajo periudhë e diplomacisë së heshtur që ne të gjejmë zgjidhje. Presidenca e BE-së është e angazhuar dhe e përkushtuar për të gjetur zgjidhje dhe po ashtu e njëjta gjë vlen edhe për Komisionin Evropian. Është ende shumë herët për të thënë se çfarë do të ndodhë. Ne jemi tërësisht të angazhuar dhe duam që kjo gjë të ndodhe."