Rama i uron mirëseardhjen liderëve të Ballkanit, mes tyre Albin Kurtit dhe kryeministres serbe Brnabiç

Në pritje të samitit të Ballkanit Perëndimor, kryeministri shqiptar priti në Pallatin e Brigadave liderët e rajonit si dhe i uroi mirëseardhjen Albin Kurtit, në vizitën e parë zyrtare në Tiranë.

Ndërsa zyrtarit të lartë të Brukselit, komisionerit për Zgjerimin e Bashkimit Evropian, Oliver Varheyli, kryeministri shqiptar i hoqi maskën në hyrje të Pallatit Mbretëror.

Këtë fakt Rama ja kujtoi eurokomisionerit edhe në konferencën për shtyp pas takimit në tryezën e përbashkët me liderët e rajonit.

"Edhe komisioneri, edhe delegacioni nga Brukseli ndihet mirë që maskat nga Brukseli i hoqi në Tiranë."

Me batuta, kreu i qeverisë shqiptare shpjegoi nëpërmjet tezgjahut lidhjen e vështirë mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian.

"Ai trau ku kemi lidhur fijet ne është BE. Ne jemi këtu, vazhdojmë tezgjahun tokë pak nga pak. Fijet janë lidhur por është gjithë kjo rrugë për tu bërë".

Pavarësisht se janë vendet e unionit që duhet të vendosin për fatin e negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, eurokomisioneri mendon se 2021 do të jetë viti i Ballkanit Perëndimor.

"Duam që të organizohen dy konferencat e para ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe kemi këtë samit të sotëm që të tregojmë rezultatet për qytetarët e këtij rajoni. Ky muaj, ky vit, mund të jetë viti i Ballkanit Perëndimor."

Për lëvizjen e lirë të shtetasve shqiptarë drejt vendeve anëtare të BE, Varheyli mendon se është një çështje përtej diplomacisë.

"Në oborrin tonë ne jemi në rregull, jemi më mirë se ata ne nga ana e situatës shëndetësore por në oborrin e tyre flasin këta" tha Rama.

"U kam bërë shteteve anëtare një rekomandim sepse kjo si kompetencë dhe përgjegjësi është e shteteve anëtare të BE."

Prezenca e Albin Kurtit në tryezën e samitit të Berlinit solli jo pak vëmendje, teksa kreu i qeverisë së Kosovës theksoi edhe njëherë njohjen e pavarësisë dhe zgjerimin e BE.

"Duke konstatuar për 6 shtetet e Ballkanit Evropian janë në Evropë, Bashkimi Evropian nuk është ende Evropë sepse nuk është i kompletuar pa u anëtarësuar edhe 6 vendet tona".

Kurti nuk ka ndryshuar mendim sa i përket Minishengenit, por shton se lëvizja e lirë e propozuar në këtë tryezë ka ndryshim.

"Nuk ka më ‘mini-Shengen’, ka treg të përbashkët rajonal, që do ta ketë takimin e radhës në gjysmën e parë të korrikut. Ajo iniciativë ka qenë më shumë e lidhur me Novi Sadin sesa me Shengenin sepse aty ka nisur.  Ajo nismë tashmë është një çështje që trajtohet nga Procesi i Berlinit, me emër tjetër e koordinata të tjera. Propozimi im është që të kalohet nga CEFTA në SEFTA".

Kurti nga ana tjetër ka shtuar se nuk ka pasur diskutim me kryeministrin Rama.