“Mesazh” me tritol në Vlorë, eksploziv objektit në ndërtim tek “Uji i Ftohtë”

Një objekt në ndërtim në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë u sulmua me eksploziv në një ngjarje që duket se shkon si mesazh kriminal për ndërtuesin.

Tritolvëniet si mesazh kriminal u rikthyen në Vlorë. Një objekt në ndërtim në zonën e Ujit të Ftohtë u sulmua me eksploziv gjatë natës.

Për pasojë pati vetëm dëme materiale, pasi siç sqaron policia në ndërtesë nuk ndodhej asnjë person pasi punimet aty janë ndërprerë prej vitesh.

Burime saktësuan se objekti nisi të ndërtohet në vitin 2009 nga dy pronarë, të cilët  i lanë punimet në mes, ndërsa së fundmi thuhet se ishte marrë një firmë tjetër ndërtimi për ta përfunduar.

Vendosja e eksplozivit besohet se ka të bëjë me konflikt interesash financiare.

Policia e Vlorës ka kryer veprimet e para në vendngjarje për sqarimin e rrethanave dhe identifikimin e kapjen e autorëve.

Të mërkurën, një biznes në Durrës u sulmua me eksploziv, ku policia vuri në pranga autorin e dyshuar.

“Mesazh” me tritol në Vlorë, eksploziv objektit në

Ndërkohë 6 persona janë arrestuar nga Policia në qytetin bregdetar pasi tregtonin lëndë eksplozive dhe mina me telekomandë për një çmim që shkonte deri në 3000 euro për copë.