Video pa koment/ Rrëmujë makinash brenda traut të QSUT, edhe ambulanca bllokohet mes këtij kaosi
Për të marrë një shërbim në spitalin Nënë Tereza, qytetarët duhet të përballen çdo ditë me fluksin e automjeteve që shkaktojnë trafik të rënduar dhe kaos. Mes tyre bllokohen edhe autoambulancat, të cilat transportojnë pacientë. Për këtë qytetarët kërkojnë të merren masa sa më parë.
Kjo është situata me të cilën përballen çdo ditë ata që i drejtohen spitalit Nënë Tereza.
Makina të parkuara keq e pa rregull sjellin më pas edhe trafik në ato pak kilometrat e spitalit.
Mes tyre, për disa minuta u bllokuan edhe ambulancat.
Megjithëse paguajnë biletën për qëndrimin në këtë institucion, brenda nuk gjejnë vend ku të parkojnë, ndaj detyrohen të shkelin edhe rregullat.
"E kam parkuar mbrapa."
"E lashë dyshe aty se nuk ka vend parkimi."
Kjo është një situatë e përditëshme e kryesisht në oraret e paradites. Por megjithëse qytetarët ankohen çdo ditë, zëri i tyre nuk dëgjohet.
"Gjendja këtu është skandal, nuk hyn dot në asnjë vend. E kanë kthyer çdo gjë private, çdo gjë është skandal, t'u bjerë një bombë."
Kërkojnë vendosjen e një rregulli që të normalizojë situatën, qoftë përmes gjobave apo edhe limitit të automjeteve.
"Lekët i marrin atje dhe makinat nuk ke ku ti lësh. Bëje me numra, 100-200 makina dhe mbaron filmi. Me marr lekët janë të parët këta, shikon gjendjen. Paguajmë lekë, bëjë parking privat."