Rama hap Samitin e liderëve të Ballkanit Perëndimor: Plan për rimëkëmbjen ekonomike dhe tregut të përbashkët rajonal
Kryeministri Edi Rama ka hapur Samitin e Liderëve të Ballkanit Perëndimor në Tiranë. Rama u shpreh se pjesëmarrja e liderëve të Ballkanit në këtë samit është shenjë e qartë e zbatimit të planit të BE-së dhe tregut të përbashkët rajonal.
Ai theksoi se ky samit është një instrument kyç që do të ndihmojë në rimëkëmbjen e ekonomisë pas pandemisë për të shkuar drejt rritjes së qëndrueshme.
"Nisim seancën e punës. Faleminderit që pranuat ftesën në një kohë kaq të shkurtër dhe jam vërtet i lumtur t’ju uroj mirëseardhjen në Tiranë. Pjesëmarrja juaj në këtë Samit është një shenjë e qartë e vullnetit tonë për të marrë autorësi rajonale të zbatimit të planit të BE-së, planit ekonomik të Ballkanit Perëndimor dhe tregut të përbashkët rajonal.
Jam shumë mirënjohës komisionerit të BE që e nisi dhe e promovoi këtë plan të madh si një instrument kyç që do të na ndihmojë të rimëkëmbemi ekonomikisht në një epokë post-pandemike dhe të shkojmë drejt rritjes së qëndrueshme e të ndërtojmë mbi tranzicionin e gjelbër dhe digjital të ekonomive,” u shpreh Rama.
