Vaksinimi i mësuesve/ Nga 40 mijë të vaksinuar, 11 mijë arsimtarë janë imunizuar

Që prej nisjes së procesit të vaksinimit 11 mijë pedagogë, mësues e edukatorë janë tashmë imunizuar duke marrë dhe dozën e dytë të vaksinës, ndërkohë që 29 mijë të tjerë kanë marrë deri tani vetëm një dozë vaksine, njofton ministria e Shëndetësisë.
Procesi i vaksinimit të mësuesve, pedagogëve dhe edukatorëve vijon në Arenën Kombëtare, ku sot u ndjek nga afër dhe nga vetë ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ku theksoi rëndësinë që dozat e dyta të bëhen sipas kalendarit të vaksinimit, duke shtuar se në të gjitha pikat e tjera vaksinimi po vijon normalisht.

“Është shumë e rëndësishme që edhe dozat e dyta të bëhen sipas kalendarit të vaksinimit për të gjitha kategoritë, për të gjitha grupmoshat edhe për të gjitha llojet e vaksinave. Sot kemi vaksinimin e mësuesve, pedagogëve, edukatorëve. Ndërkohë që në sheshin “Skënderbej” dhe në të gjithë pikat e tjera vijon vaksinimi sipas grupmoshave, duke vijuar edhe me të gjithë pjesën tjetër të qytetarëve, të cilët kanë sëmundje kronike dhe i përkasin moshës deri 60 vjeç”, tha Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë tha se ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik rekomandojmë dozën e dytë edhe pas disa ditëve, sipas specifikave të vaksinës, duke u shprehur se vaksinimi do të vijojë me të njëjtin ritëm dhe kujdes për të mbrojtur sa më shumë qytetarë.
Që prej nisjes së procesit të vaksinimit janë vaksinuar mbi 816 mijë qytetarë, nga të cilët, 320 mijë i kanë kryer të dy dozat e vaksinës anti-covid.
