Protestë për Rrugën e Arbrit, banorëtt e Zall Dajtit: Gërryerjet e lumit rrezikojnë tokat dhe ndërtesat
Zgjerimi i kantierit të punimeve për Rrugën e Arbrit në Zall Dajt ka nxjerrë në protestë banorët e zonës. Sipas tyre punimet kanë ndryshuar rrjedhën e lumit, e cila po u dëmton tokat dhe rrezikon dhe ndërtesat buzë saj. Qytetarët thanë se i janë drejtuar institucioneve, por nuk kanë marrë një përgjigje ndërkohë që një tjetër shqetësim është se për ta nuk është lënë asnjë nënkalim për ta shfrytëzuar aksin e ri rrugor.
Banorët e zonës së Zall Dajtit protestuan të enjten kundër zgjerimit të kantierit të punimeve të kompanisë Gjoka gjatë ndërtimit të Rrugës së Arbrit në segmentin që prek këtë zonë.
Shqetësimi që ngrejnë qytetarët është se zgjerimi i kantierit ka sjellë autromatikisht ndryshimin e rrjedhës së lumit të Tiranës që kalon përgjatë kësaj zone.

Sipas tyre, prurjet e lumit kanë gërryer tokat bujqësore dhe kanë dëmtuar disa ndërtesa.
"Kjo pjesë ka qenë lumë. Me ardhjen e rrugës u zgjerua kantieri dhe gjithmonë lumi ikën në krahun e kundërt, ku mbështetet krahu i tokave tona. Kjo përbën problem, edhe godinat i ka prishur. Lumi është shumë i fryrë, gjatë dimrit është shumë i rrëmbyeshëm dhe na merr edhe këtë pjesë tokash që e kemi jetësore."
"Toka është blerë që në kohën e Enver Hoxhës, 1 milion e 800 mijë lekë të vjetra."
Banorët thonë se pavarësisht se janë ankuar pranë institucioneve, nuk kanë marrë asnjë zgjidhje.
"Morëm policinë dhe nuk u përgjigjën fare."

"Kemi bërë ankesa në perfekturë, bashki. Nuk kemi marrë përgjigje, vetëm fjalë kemi dëgjuar, por nuk kemi parë asgjë të bëhet. Ne kërkojmë që të ndërtojnë mur mbrojtës në pjesën e lumit që janë tokat dhe banesat tona. Ne nuk jemi kundër ndërtimit të rrugës, por duam mbrojtje."
Një tjetër shqetësim i qytetarëve që jetojnë në zonë, është mungesa e një nënkalimi që lidh dy pjesë të fshatit.
"Na premtuan nënkalimin, jemi 30 e ca famnilje në kodër. Tani thonë nuk e kemi ne. Duke rrezikuar jetën çdo ditë."
Banorët thanë se do të vijojnë protestat derisa tu jepet një zgjidhje konkrete nga institucionet.
