Raporti: 1 në 3 shqiptarë dha ryshfet në 2020, zyrtarët e kërkojnë haptas

Nga viti në vit rritet numri i qytetarëve që japin ryshfet në zyra shtetërore për të marrë shërbimet që u takojnë. Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim kreu një anketim për vitin 2020. Sipas anketimit qytetarët paguajnë sepse kërkohej nga vetë zyrtarët. Nga ana tjetër, besimi i qytetarëve te institucionet publike pësoi një rënie të mëtejshme.

Një në tre shqiptarë deklarojnë se kanë dhënë ryshfet në qeveri apo në zyrat e pushtetit vendor.

Është ky konkluzioni i një anketimi të kryer nga Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim për vitin 2020.

Ai zbuloi se numri i personave që u detyruan të paguajnë për shërbime publike u rrit nga 19% që ishte në 2019-tën në 32% në vitin pasardhës.

Në raport thuhet se ryshfeti nuk jepet për të përfituar diçka që nuk u takon qytetarëve apo për një shërbim më të mirë e më të shpejtë, por sepse zyrtarët e kërkojnë haptasi.

 “Arsyeja kryesore për dhënien e ryshfetit, sipas të anketuarve, ishte se u ishte kërkuar një gjë e tillë. 46.8% e të anketuarve që treguan se kishin paguar ryshfet raportuan se u ishte kërkuar të paguanin ryshfet, 25.3% raportuan se kishin dhënë ryshfet për të marrë shërbime më të mira në të ardhmen, dhe 16.4% raportuan se kishin paguar ryshfet për të shprehur mirënjohjen e tyre te zyrtari që u kishte shërbyer.”

Por ndërkohë që paratë e dhëna në drejtim të administratës shënuan rritje, besimi i shqiptarëve te institucionet publike pësoi një rënie të mëtejshme.

 “Krahasuar me vitin 2019, ka rënë besimi te policia, institucionet e kujdesit shëndetësor, media, qeveria qendrore dhe forcat e armatosura, ndërkohë që është rritur besimi tek institucionet fetare.”

Policia e Shtetit mbetet struktura që ka humbur me tepër besueshmërinë e qytetarëve.

Rreth 53% e shqiptarëve deklaruan në 2019 se kishin besim te uniformat blu por pas vitit të pandemisë besimi ra në 43%, duke shënuar kështu nivelin më të ulët që nga fillimi i vrojtimit në vitin 2015.