Qeveria do japë grante për bizneset, krijohet Bordi që do të shpërndajë paratë për subjektet e vogla e të mesme

Qeveria do të miratojë një fond të posaçëm për tu ardhur në ndihmë me para bizneseve të vogla dhe të mesme.Struktura do të funksionojë edhe përmes bashkive, por gjithçka do të jetë nën monitorimin e një bordi. Prioritet në paratë që do të jepen do të kenë projektet që lidhen me teknologjinë.

Qeveria ka vendosur të ngrejë një tjetër bord, i cili do të ketë si qëllim shpërndarjen dhe monitorimin e parave që do të jepen si grante për bizneset e vogla dhe të mesme në vend.

Drafti, i cili është paraqitur në konsultim, parashikon që përfitues mund të jenë të gjitha kompanitë që kanë së paku 6 muaj në treg dhe nuk janë në kushtet e shpalljes së falimentit.

Gjithashtu kusht do të jenë dhe pagesat e të punësuarve që nisin nga 1 person dhe deri në 240 të tillë.

Në relacionin që shoqëron projektligjin synohet të mbështetet kërkimi shkencor, por edhe zhvillimi i subjekteve.

Projektet që me sa duket do të jenë prioritet do të jenë ato që kanë të bëjnë me teknologjinë e kohës, ku sipas dokumentit deri më tani nuk ka pasur aplikime, dhe synimi është që 50 për qind e bizneseve që janë të regjistruara të përfitojnë nga ky grant deri në vitin 2022.

Të drejtën për të dhënë fonde do ta kenë si bashkitë ashtu dhe AIDA. Por gjithçka duhet të jetë e kontrolluar nga bordi që do të ketë 12 anëtarë.

Në vitin e parë është parashikuar një fond prej 13 milionë lekësh, ndërsa në të dytin ajo kap vlerat e 99,3 milionë lekëve.

Në vitin e tretë e më tej fondi parashikohet të qëndrojë në 93,3 milionë lekë.

Po ashtu synohet që të krijohen dhe struktura në mbështetje të bizneseve që nuk kanë informacion se si mund të përfitojnë.

Granti që do të jepet nga shteti do të jetë i pavarur nga ato që aplikohen në organizmat e Bashkimit Evropian apo donator të pavarur.