"Do të luftojmë me gjithë forcën", Basha: Masakra zgjedhore nuk na ndal për të rrëzuar regjimin Rama-Doshi

Kryetari i Partisë Demokratike zhvilloi një takim me demokratët e disa degëve në kryeqytet, nga ku ka kërkuar mbështetje  për një mandat  të tretë në krye të Partisë Demokratike. 

Masakra zgjedhore tha Basha, nuk do ta ndal për t'i sjell shqiptarëve ndryshimin e merituar.

"Në momentin kur vendi është pa zgjidhje, kur autori i masakrës i cili ka të gjitha pushtetet por tregohet me gisht nga çdo shqiptar dhe nga socialistët edhe nga nëpunësit e vet, si njeriu që e ka sjellë vendin në buzë të greminës, me zgjedhje pa zgjidhje, asnjë zgjidhje, asnjë mundësi zgjidhje. Në këto kushte, dy metodat e tij të diversionit, e para, na shtrin dorën për bashkëpunim të cilën e kam refuzuar në mënyrë finale, të prerë dhe dua ta përsëris këtu para jush, nuk ka dhe nuk mund të ketë bashkëpunim. Së dyti dhe më e rëndësishmja ka të bëjë me faktin që duhet të dalim nga kjo e dielë kaq të bashkuar sa jemi. Baza është e bashkuar."

Lulzim Basha tha se Partia Demokratike, bashkë me shumicën e shqiptarëve do të luftojë për të rrëzuar regjimin Rama-Doshi.

"Edi Rama po përpiqet tashmë që i kanë rënë përpjekjet e vjetra për të na përçarë, të mbjellë një tjetër fidan përçarje mes nesh me të cilin mundësisht të merremi nga mëngjesi deri në darkë, duke u marrë me vetveten, me njëri-tjetrin, me shoqi shoqin, kë keni në krah, në vend që të fokusojmë të gjithë energjinë dhe gjithë bashkimin tonë përballë të vetmit kundërshtar dhe të vetmit armik që kemi ne demokratët, që kanë shqiptarët dhe që ka Shqipëria, që është regjimi i tij dhe i Tom Doshit me shokë."

Lulzim Basha, tha se 13 qershori do t'i nxjerr demokratët më të bashkuar për të luftuar më çdo mjet të keqen që ka kapur vendin.